Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pekini ndëshkon tregtarët për maskotën e Lojërave Olimpike

Policia e Pekinit po ndëshkon tregtarët kinezë për arkëtimin e parave duke rishitur kukullat e pakta të maskotës së Lojërave Olimpike, pandën Bing Dwen Dwen, me çmim deri në dhjetëfish më të lartë se ai real i blerjeve me pakicë.

Blerësit qëndruan në radhë gjatë natës në mot të ftohtë dhe boshatisën raftet e dyqaneve, pas hapjes së Lojërave Dimërore “Pekini 2020” më 4 shkurt. Raportohet se punonjësit e fabrikës u thirrën nga pushimet e tyre të Vitit të Ri Hënor për të bërë më shumë maskota panda.

Tre persona në Pekin u dënuan me “dënime administrative” të paspecifikuara për rishitjen e pandave Bing Dwen Dwen me çmime të konsideruara shumë të larta, njoftoi policia. Dënimi mund të përfshijë ndalimin, gjobat dhe konfiskimin e mallrave. Lodrat prej pelushi, Bing Dwen Dwen, një panda me një kostum të pastër plastik, shiten për 30 dollarë në “Gongmei Emporium” në qendër të Pekinit. Dyqani në qendrën tregtare në Wangfujing dhe dyqanet e tjera të autorizuara shesin gjithashtu stilolapsa, distinktivë dhe suvenire të tjera me motivet e Olimpiadës.

“Maskota filloi të shitet shumë kohë më parë, por nuk krijoi zhurmë”, tha një klient në Gongmei pa dashur ta zbulojë emrin. “Tani mediat po e promovojnë atë”.

Gongmei dhe dyqanet e tjera postuan tabela duke thënë se kishin deri në 300 kukulla “Bing Dwen Dwen” në ditë dhe blerësve u lejohej të blinin nga një secili. Blerësit thanë se ato u shitën për vetëm 30 minuta.

“Tregu i dorës së dytë është i nxehtë”, shkroi gazeta “Pekin News”. “Bing Dwen Dwen është rritur në dhjetëfish nga çmimi origjinal”.

Të premten pasdite punonjësit e dyqaneve, që janë të zyrtarizuara për shitjen e maskotave, u kanë kërkuar klientëve që të mos qëndronin gjatë natës për të pritur në radhë. Gjatë natës temperaturat bien nën zero. Gazetat raportuan një tregtar të arrestuar nga policia në Wangfujing pasi një adoleshent u ankua se po rishiste një zinxhir olimpik çelësash për tre dollarë mbi çmimin e shitjes me pakicë. Tregtarët në internet ofrojnë zinxhirë të paautorizuar me motivet e Olimpiadës, kuti telefoni celular dhe mallra të tjera me imazhin e Bing Dwen Dwen.

Autoritetet janë përpjekur t’i frenojnë blerjet e furishme, duke premtuar se do të ketë furnizime të mjaftueshme dhe suveniret e Lojërave Olimpike do të jenë në shitje deri në muajin qershor. Disa klientë ankohen se paguanin depozita për suvenire, por tregtarët u zhdukën me paratë e tyre.

“Ju lutemi veproni në mënyrë racionale dhe mos blini maskota me çmime të larta nga tregtarët”, ishte postimi i departamentit të Policisë së Pekinit.

Artikuj të ngjashëm