Pas debutimit me fitore në krye të Pejës, trajneri Jordançdo Davitkov kërkon që të vazhdojë me ritmin e njëjtë edhe në ndeshjen kundër Rahovecit. Davitkov beson se ekipi i tij mund ta mposhtë liderin e Superligës, nëse tregon lojë të mirë dhe angazhim sikurse në ndeshjen e kaluar kundër Sigal Prishtinës.
Dueli mes Pejës dhe Rahovecit zhvillohet të mërkurën në palestrën “Karagaçi” prej orës 17:00 dhe i takon xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Peja është e treta në tabelë me 25 pikë të mbledhura, dy më pak se Rahoveci që prin. Pejanët në këtë duel futen pas një serie prej dy fitoreve rresht, derisa Rahoveci në katër duelet e fundit nuk di për humbje. Është ekipi i vetëm në elitë që këtë edicion ka vetëm tri humbje pas 15 ndeshjeve të zhvilluara.
“Sikurse në çdo ndeshje tjetër, edhe ndaj Rahovecit do të futemi për fitore. Kjo është normale dhe pres që ekipi të tregojë një lojë të mirë dhe angazhim në këtë ndeshje të rëndësishme. Luajmë në shtëpi dhe synimi është që të vazhdojmë me fitore”, u shpreh Davitkov, që vlerësoi lart Rahovecin. “E kam përcjellë Rahovecin, ka një ekip të mirë dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne pasi ka lojtarë të mirë në radhët e veta. Megjithatë, besoj se ekipi i Pejës është i gatshëm edhe për këtë derbi”.
Edhe te Rahoveci do të udhëtojnë drejt Pejës për fitore dhe për të vazhduar ta mbajnë distancën e pikëve ndaj rivalëve më të afërt. Trajneri i Rahovecit, Bujar Loci, e pranon se Peja është një kundërshtare e fortë, por beson në rezultat pozitiv të ekipit të tij.
“Ne jemi përgatitur edhe për këtë ndeshje dhe udhëtojmë për një epilog pozitiv. Natyrisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do t’i qasemi asaj me seriozitetin dhe angazhimin më të madh”, është shprehur Loci.
Ndërkohë, basketbollisti i Rahovecit, Alban Veseli, është treguar i matur sa i përket duelit me Pejën, duke shtuar: “Do të jetë një ndeshje e paparashikueshme. Peja ka një ekip shumë të mirë, kurse ne jemi shumë të komponuar. Besoj që do të jetë një ndeshje shumë interesante, siç i ka hije një derbit të vërtetë në basketboll”.
Xhiroja e 16-të e Superligës së Kosovës nis me duelin tjetër që luhet të mërkurën nga ora 15:00, atë ndërmjet Vëllaznimit dhe Ponte Prizrenit, në palestrën “Shani Nushi” të Gjakovës. Skuadra e Vëllaznimit zë vendin e gjashtë në tabelë me 19 pikë dhe nuk di për fitore që nga xhiroja e 11-të derisa Ponte Prizreni në xhiron e shkuar pësoi në shtëpi nga Golden Eagle Ylli. Ponte është e treta me 25 pikë. Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati ka paralajmëruar reagim të menjëhershëm të ekipit të tij pas humbjes së fundit dhe ka shtuar se pret fitore ndaj Vëllaznimit.
“Sigurisht që fitorja është opsioni i vetëm në këtë ndeshje për ne. Duhet të reagojmë menjëherë pas ndeshjes së fundit dhe të dëshmojmë se ajo humbje i takon të shkuarës. Pres reagimin e ekipit dhe besoj se do të kthehemi me fitore në Prizren”, është shprehur Rifati.
Ndërkohë, xhiroja do të mbyllet me dy ndeshje që zhvillohen të enjten. Prej orës 15:00 do të zhvillohet dueli i dy skuadrave të fundit në tabelë, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Prishtina është e parafundit me 19 pikë, një më shumë se Trepça që është e fundit. Skuadra nga Mitrovica vetëm vikendin e shkuar shijoi fitoren e parë pas një serie prej dhjetë humbjeve rresht. E mposhti në Prizren skuadrën e Bashkimit, derisa Sigal Prishtina ka pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit.
Ndërkohë në orën 17:00 në Suharekë, skuadra e Golden Eagle Yllit e pret Bashkimin. Ylli është i katërti në tabelë me 24 pikë të mbledhura, një më shumë se Bashkimi që zë vendin e pestë.
Superliga – XVI
E mërkurë
Vëllaznimi – P. Prizreni (15:00)
Peja – Rahoveci (17:00)
E enjte
S. Prishtina – Trepça (15:00)
G.E. Ylli – Bashkimi (17:00)
- Rahoveci 15 27
- Peja 15 25
- P. Prizreni 15 25
- G.E. Ylli 15 24
- Bashkimi 15 23
- Vëllaznimi 15 19
- S. Prishtina 15 19
- Trepça 15 18