Skuadrat nga qyteti i Prizrenit, Ponte Prizreni dhe Bashkimi kanë shënuar fitore në udhëtim në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Përderisa Ponte Prizreni triumfoi ndaj Pejës me shifrat 93:79, Bashkimi ishte më i mirë se Vëllaznimi që e mposhti me shifrat 97:86.
Për Pejën, kjo ishte humbja e dytë këtë edicion derisa për Ponte Prizrenin fitorja e pestë rresht. Me këtë humbje, Peja bie në pozitën e dytë me 17 pikë, sa i ka edhe Ponte Prizreni që renditet i treti.
Josh Martin me 23 pikë e 14 kërcime ka udhëhequr Ponte Prizrenin drejt fitores derisa lojë të mirë tregoi edhe Jeremiah Paige që debutoi me 19 pikë të shënuara.
Te Peja, që në këtë ndeshje u paraqit pa Dardan Berishën, më efikasit ishin Drilon Hajrizi (31) e Marko Peroviq (19). Ndërkohë, Bashkimi me fitore ndaj Vëllaznimit, ekip që përjetoi humbjen e tretë rresht, është ngritur në kuotën e 15 pikëve, dy më shumë se skuadra nga Gjakova.
Plejmejkeri Musab Mala me 29 pikë ishte më i dalluari te Bashkimi kurse Juljan Hamati shtoi 24 sosh. Te Vëllaznimi, amerikani Christopher Hortman e mbylli ndeshjen me 35 pikë.