Sport

Peja eliminon Prishtinën nga Kupa

Fituesja në fuqi e Kupës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina është eliminuar të mërkurën mbrëma nga kjo garë. Sigal Prishtina ka pësuar humbje nga skuadra e Pejës në ndeshjen çerekfinale të “Final 8” të Kupës së Kosovës. Rezultati i duelit që u zhvillua në palestrën “Karagaçi” në Pejë, përfundoi me shifrat 91:86 në të mirë të ekipit vendas. Me këtë fitore, Peja ka kaluar në gjysmëfinale ku do të përballet me Trepçën, që më herët e eliminoi Rahovecin.

Skuadra e Pejës gjatë tërë ndeshjes ka qenë në epërsi ndaj Prishtinës për të arritur në fund të triumfojë me pesë pikë dallim.

Kapiteni i Pejës, Dardan Berisha ishte më i merituari për këtë fitore. Berisha e përfundojë ndeshjen me 34 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Ndërsa, kontribut dhanë edhe Edgar Garibay (20) e Tyrone White (19). Këta ishin edhe lojtarët e vetëm te Peja me pikë dyshifrore. Te Prishtina, u veçua Dachon Burke me 22 pikë të shënuara, i përcjellë nga Dachon Burke e Lejson Zeqiri që realizuan nga 20 pikë secili por që nuk mjaftuan për të shkuar tutje në Kupën e Kosovës.

Në fakt, autobusi i Sigal Prishtinës është thyer para duelit me Pejën. Sulmi ndaj autobusit ka ndodhur me të mbërritur para palestrës ndërsa në këtë indicent ka pasur edhe përleshje mes tifozëve dhe zyrtarëve të Prishtinë. Tifogrupi “Torcida” nga Mitrovica nëpërmjet një komunikate është distancuar nga ky sulm.

Dueli gjysmëfinal mes Pejës dhe Trepçës, do të zhvillohet të premten prej orës 17:00. Të enjten, zhvillohen dy çerekfinalet tjera të Kupës së Kosovës.

Prej orës 17:00 përballen Golden Eagle Ylli dhe Drita ndërsa nga ora 20:00 do të luajnë Prizreni-16 me Bashkimin.