Peja e Sigal Prishtina do të përballen sërish, këtë herë në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja zhvillohet të shtunën nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi” dhe i takon xhiros së 12-të.
Prishtina e Peja u përballën të mërkurën e po ashtu javën e kaluar, në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Tutje avancoi Prishtina.
Pas humbjes në Prishtinë, Peja e shkarkoi trajnerin Daniel Nelson. Të shtunën skuadrën pejane e drejton ndihmës-trajneri spanjoll Diego Garcia Velasco.
Peja është e pesta me 16 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vendin e katërt. Por Prishtina e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja Trepça – Proton Cable Prizreni, që sërish zhvillohet në Prizren për shkak të punimeve në “Minatori”.
Të dielën janë ndeshjet Vëllaznimi – Bora (17:00) dhe Bashkimi – Golden Eagle Ylli (19:00).