Klubi i basketbollit Peja ka lëshuar një komunikatë plot me akuza të rënda, të martën. Kampionia në fuqi, Peja, ka akuzuar komisarin e garave, Faton Kurshumlija, për hakmarrje personale. Në komunikatë, Peja ka vlerësuar se basketbolli kosovar po vdes, ndërsa disa vendime të Bordit të FBK-së i ka quajtur absurde.
Reagimi i Pejës erdhi tri ditë pas ndeshjes me Sigal Prishtinën. Në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës, Peja u mposht në “Karagaçi” me rezultatin 81:78. Ndeshja ishte ndërprerë për shkak të hedhjeve dhe nuk kishte vazhduar për kohë të gjatë. Kishte të tillë që refuzonin të lëshonin palestrën dhe kjo bëri që ndërprerja të jetë më e gjatë.
Peja ka thënë se hedhjet në parket ndodhën për shkak të provokimeve të lojtarit me numër nëntë të Prishtinës, Shaheed Davis. Peja ka publikuar edhe një video, ndërsa ka shkruar se Davis ka provokuar bankën e skuadrës pejane dhe tifozët “duke kapur organet gjenitale në drejtim të tyre”.
“Basketbollisti me numër 9 i Prishtinës u ndëshkua vetëm me faull teknik, edhe pse gjatë gjithë kohës banka e KB Pejës ua bëri me dije gjyqtarëve të takimit që provokimet e tij josportive mund të dërgojnë deri në eskalimin e situatës. Për këto gjëra banka e Pejës u dënua disa herë me gabime teknike, pas provokimit të lojtarit në fjalë, që përkundër gjesteve josportive nuk u ndëshkua nga gjyqtarët dhe mbeti në ndeshje, kur realisht ishte ai që e nxitit të gjithë situatën”, ka shkruar Peja në komunikatë.
Klubi pejan ka akuzuar për standarde të dyfishta. Ka thënë se në ndeshjet e tjera të këtij edicioni për hedhje është zbrazur salla pjesërisht, ndërsa të shtunën për herë të parë është zbrazur në tërësi.
“Kjo erdhi si pasojë e egos dhe hakmarrjes personale të Komisarit të Garave, Faton Kurshumlija, që shkoi përtej çdo ligji të caktuar nga vetë Komisioni i Garave për ta zbrazur për herë të parë këtë edicion gjithë sallën. Iu kërkojmë falje të gjithë sponsorëve, personave eminentë dhe tifozëve e dashamirëve, të cilëve iu desh të largohen për teket dhe egon e shfrenuar të komandantit Faton”, ka shkruar Peja.
Sipas Pejës, për situata si ajo e së shtunës, në ndeshjet Bashkimi – Prishtina, Trepça – Peja dhe Trepça -Prizreni, salla është zbrazur vetëm pjesërisht.
Peja ka kërkuar dënime për basketbollistët që provokojnë e jo që gjithnjë të fajësohen tifozët në tribuna.
“Këto gjëra po na dëmtojnë jashtëzakonisht shumë. Po ndikojnë që të humb shikueshmëria dhe vdekjen e ngadaltë të basketbollit. Rregullat absurde të vendosura nga Bordi i Federatës duhet të rishikohen dhe të rimendohen para se basketbolli të vdesë”, ka shkruar Peja në reagim.
KOHA ka kontaktuar me komisarin Faton Kurshulmija. Por ai nuk ka dashur të deklarohet për akuzat e rënda të KB Pejës.
Për ngjarjet në ndeshjen me Prishtinën, Peja është gjobitur të martën me plot 2000 euro. Ndërkohë trajneri Rami Hadar është dënuar me 600 euro.
Në Superligë zbrazja e pjesshme apo e plotë e palestrës ndodh jo rrallë.