Skuadra e Barcelonës ka mbetur pa mesfushorin Pedri të paktën për një muaj. Ekipi spanjoll ka njoftuar të enjten se Pedri ka pësuar një lëndim në stërvitjen e fundit, i cili do ta mbajë jashtë fushës deri në muajin tetor. Klubi ka bërë të ditur se Pedri ka dëmtuar muskulin e këmbës së majtë dhe se do t’u nënshtrohet kontrollimeve shtesë për ta kuptuar shkallën e lëndimit, përpara nisjes së fazës të rehabilitimit.
Mungesa e Pedrit do të jetë e madhe te Barcelona, pasi krahas disa ndeshjeve të La Ligas, ai do të mungojë edhe në duelin e parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Ai këtë edicion ka luajtur në dy ndeshjet e para të La Ligas dhe ka shënuar një gol. Krahas Pedrit, Barcelonës shkaku i lëndimit i mungon edhe mbrojtësi Ronald Araujo.