Naser Krasniqi ka shumë suksese në volejbollin kosovar, shumë tituj e kupa të fituara. Por, trajneri prishtinas e cilëson të veçantë triumfin e fundit të skuadrës së tij, M-Technologie.
M-Technologie të shtunën fitoi Kupën e Kosovës në volejboll në konkurrencë të femrave.
Krasniqi ka përmendur disa arsye që e bëjnë unik triumfin e së shtunës. Ai ka numëruar vështirësitë në të cilat po hasin. Dhe insiston se suksesi në Kupë është arritur vetëm falë punës dhe angazhimit si ekip.
M-Technologie mposhti në finale fituesen e Kupës nga edicioni i kaluar, Dritën e Gjilanit, me rezultatin 3:2 në sete. Ndeshja finale u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Për klubin nga Prishtina ishte Kupa e nëntë e fituar pas luftës. Synimi i volejbollisteve që përfaqësojnë skuadrën prishtinase është edhe mbrojtja e titullit të kampionit, që kështu ta nisin një periudhë të dominimit në volejbollin kosovar.
“Para çdo fillimi të kampionatit synimi ynë është suksesi maksimal. Këtë edicion, nga fillimi i kampionatit vjeshtor e deri te ky pranveror, kemi ndryshime në përbërjen e ekipit. Kemi ndryshime, por angazhimi ka bërë që ne sërish të komponohemi si ekip. Ka qenë një rrugë e vështirë dhe e papërshkrueshme”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.
Krasniqi nis edhe numërimin e telasheve që kanë hasur. Por, ngul këmbë se vullneti për të arritur suksese i ka mposhtur të gjitha.
“Qe një vit jemi duke u përballur me një situatë të vështirë me pandeminë dhe gjithnjë ekziston mundësia të infektohet dikush në ekip. Por, ne si klub kemi ekipin e mjekëve që kujdesen për çdo gjë rreth kësaj çështjeje. Vështirësi tjetër është edhe infrastruktura që ekziston në Prishtinë. Palestra ‘1 Tetori’, ku ne bëjmë një pjesë të aktiviteteve, është në rinovim dhe tani shërben për vaksinim. Në sallat e shkollave ku kryejmë një pjesë të ushtrimeve shpesh hasim në pengesa dhe nuk gjejmë mirëkuptim, në veçanti për sportin femëror. Është ngarkesë edhe orari i ndeshjeve, ku çdo të tretën ditë kemi ndeshje dhe kjo edhe na ka dëmtuar shumë duke pësuar lëndime të rënda më shumë se shtatë lojtare. Të gjitha këto po mundohemi t’i përballojmë dhe ta mbyllim kampionatin në mënyrën më të mirë”, ka theksuar Krasniqi.
Triumfi në Kupë për Krasniqin dhe volejbollistet e M-Technologie është motiv shtesë në luftën për titull të kampionit. Garën për titull pritet ta ketë me Dritën, që viteve të fundit ka dominuar në volejbollin femëror.
“Ekziston një motiv i lartë te të gjithë ne. Jemi kampioni aktual, ndërsa tash e kemi fituar Kupën pas më shumë se nëntë vjetësh. Pra, klubi ka një bilanc nga paslufta me tetë tituj dhe nëntë Kupa dhe mbajmë rekordin si klubi me më së shumti trofe në Kosovë”, ka thënë Krasniqi. Në fakt, skuadra e Krasniqit këta trofe i ka fituar me emra të ndryshëm.
“Gjasat i kemi për mbrojtje të titullit, sepse këtë vit nuk kemi asnjë ndeshje të humbur. Por, është sport dhe gjithçka mund të ndodhë. Na pret një punë më e vështirë, sepse duhet ta mposhtim sërish në gjysmëfinale të plejofit ekipin e Skenderajt, për të kaluar në finale. Gjithmonë jemi bazuar në punën dhe vullnetin e vajzave të ekipit”, është shprehur Krasniqi.
Në skuadrën prishtinase janë dy volejbolliste kubane, një turke dhe një nga Ukraina.
Një nga lojtaret që ka dhënë kontribut të madh në suksesin e skuadrës është kubania Anet Alfonso Benitez.
“Besoj se gjithçka kërkon përgatitje dhe nëse skuadra jonë ka punuar për ta arritur atë rezultat, atëherë ne kemi përmbushur një pjesë të qëllimeve tona. Ne do të jemi të përqendruar për ta fituar përsëri kampionatin. Është viti im i dytë, një skuadër që më pëlqen dhe ndihem shumë mirë. Është një ekip shumë i bashkuar”, ka thënë Benitez, që ka qenë pjesë e kësaj skuadre edhe vitin e kaluar.
