Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Volejbollistet e Dritës, një fitore larg titullit

Skuadra e Dritës e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në volejboll në konkurrencë të femrave. Gjilanaset të martën triumfuan ndaj skuadrës prishtinase, M-Technologie.

Ndeshjen e dytë Drita e fitoi me rezultatin të njëjtë sikurse të parën. Të martën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Drita triumfoi me rezultatin 3:0 në sete (25:19, 25:18, 25:13), ndaj kampiones në fuqi, M-Technologie. Drita ka bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit për këtë edicion. Është në epërsi 2:0 me ndeshje dhe i duhet vetëm edhe një fitore në serinë finale të plejofit për t’u shpallur kampione.

Ndeshja e tretë do të zhvillohet të enjten prej orës 15:00 në palestrën e qytetit në Gjilan. Te Drita, edhe pse janë vetëm një fitore larg titullit, insistojnë se është herët për të festuar. Madje trajneri i Dritës, Lorik Ilazi ka thënë se ka akoma punë dhe luftë për të bërë. Ai ka shtuar se seria e finaleve nuk është aspak e lehtë për t’u fituar.

“I përgëzoj vajzat që luajtën shumë mirë. Ishte kjo njëra ndër ndeshjet më të mira të këtij edicioni që e kemi luajtur. Kundërshtari ishte në nivel, por ne luajtëm shumë mirë, do të thotë se u kujdesëm për të gjitha detajet. Ishte një fitore e merituar dhe tani kemi edhe ndeshjen e tretë që do ta luajmë në shtëpi”, është shprehur Ilazi. “Por, kjo nuk do të thotë se e kemi siguruar titullin, pasi duhet ta fitojmë edhe ndeshjen tjetër. Të përgatitemi, të tregohemi të kujdesshëm, sepse kundërshtari nuk ka çfarë të humbë. Besoj se do të jemi të gatshëm dhe pres që do të luajmë me këtë ritëm edhe në ndeshjen e tretë. Ka punë dhe luftë akoma sepse finalet nuk janë të lehta për t’u fituar”.

Skuadra e Dritës ishte shumë më e mirë në ndeshjen e dytë dhe ka dominuar tërësisht ndaj M-Technologie që nuk arriti t’i fitojë 20 pikë në asnjërin prej seteve të humbur. Përderisa te Drita po shpresojnë ta festojnë të enjten në Gjilan titullin e kampionit, te M-Technologie kanë paralajmëruar se në ndeshjen e tretë do të shkojnë për fitore. Trajneri Naser Krasniqi ka insistuar se ekipi i tij nuk ka çfarë të humbë në ndeshjen e tretë dhe shpreson që ta regjistrojë fitoren e parë në këtë seri të finaleve përballë Dritës.

“Orari i ngjeshur i ekipit tonë ka bërë që nganjëherë vjen në shprehje edhe lodhja, që u dallua sidomos në këtë ndeshje. Ishte një finale e fortë, pavarësisht rezultatit që ishte në fund. Përballë njëra-tjetrës, janë dy ekipe që mund ta befasojnë njëra-tjetrën. E kemi edhe ndeshjen e tretë në të cilën nuk kemi çfarë të humbim. Shkojmë atje për të treguar paraqitje të mirë pasi ende është gjithçka e hapur”, ka thënë Krasniqi.

Këtë edicion, M-Technologie e ka fituar Kupën e Kosovës në volejboll.

Dhurata Sylejmani udhëhoqi Dritën, derisa te M-Technologie sërish volejbollistet kubaneze ishin më të dalluarat. Por, loja e tyre nuk ishte e mjaftueshme.

Artikuj të ngjashëm