Është pjesë e rëndësishme e ekipit U-23 të Hamburgut dhe pret që shumë shpejt të promovohet në ekipin e parë të skuadrës me traditë në futbollin gjerman. Pas paraqitjeve me Hamburgun, ai mori ftesën e Kosovës U-21 dhe debutoi në muajin e shkuar kundër Shqipërisë U-21, në ndeshje kualifikuese për “Euro 2021”. Bëhet fjalë për futbollistin Gentrit Limani, i lindur në Komogllavë të Ferizajt, por që në moshën dyvjeçare së bashku me familjen e tij ishin shpërngulur në Frankfurt të Gjermanisë. Për KOHËN, Limani thotë se pandemia i ka dëmtuar të gjitha klubet dhe sportistët. Por, edhe përkundër kësaj, ai është i kënaqur me formën që po kalon te skuadra e dytë e Hamburgut, ku ka bërë pesë asistime në dhjetë ndeshje. Sipas tij, nëse shkon gjithçka sipas planit, në sezonin tjetër pret të luajë për ekipin e parë.
“Pandemia na ka dëmtuar shumë. Kemi pasur shumë pak lojë, por për fat të mirë në të gjitha ndeshjet që i kemi zhvilluar, kam qenë titullar dhe pothuajse i kam luajtur të plota. Jam shumë i kënaqur me formën që po kaloj, ku deri më tani në dhjetë ndeshje kam bërë pesë asistime. Në çdo ndeshje vrapoj shumë, me mesatare prej 12 kilometrave. Luaj më shumë për ekipin sesa për veten. Në klub janë të kënaqur me statistikat e mia dhe në qoftë se shkon gjithçka sipas planit, shpresoj që në sezonin e ardhshëm të debutoj me ekipin e parë të Hamburgut në Ligën e Parë dhe të kem ndonjë ndeshje përballë Milot Rashicës”, u shpreh Limani, që iu bashkua Hamburgut në verën e vitit 2019 nga Bochumi. “Te Bochumi në moshën 17-vjeçare kam qenë pjesë e ekipit U-19, ku kemi luajtur ndeshje shumë të forta në Bundesligën e kësaj grupmoshe. Po ashtu, në moshën 17-vjeçare, kam stërvitur me ekipin e parë të Bochumit dhe kam zhvilluar ndeshje miqësore. Bochumi në atë kohë ishte pjesë e Bundesligës 2 dhe në momentin kur unë prisja rastin që te debutoj në ekipin e parë në ndeshje zyrtare, pësova një lëndim të rëndë dhe nuk ia dola të luaj me ekipin e parë”.

Limani, gjithashtu, rrëfen edhe rrugëtimin e tij drejt transferimit te Hamburgu. Në fakt, Hamburgu kishte shprehur edhe më herët interesim për shërbimet e tij.
“Pasi e kalova lëndimin, erdhi një ofertë nga Hamburgu U-23, klub që ishte i interesuar për mua edhe më herët. Është kënaqësi e madhe që jam pjesë e një klubi me traditë siç është Hamburgu. Është klub me kushte të jashtëzakonshme. Unë jam pjesë e rregullt e ekipit U-23 dhe jam në rrugë të mirë që të kaloj në ekipin e parë. Ky edhe është synimi im. Jam shumë i përkushtuar te kjo skuadër dhe po punoj shumë për të arritur sa më lart”, tha Limani.
Debutimi i veçantë kundër Shqipërisë
20-vjeçari Limani ishte ftuar disa herë nga Kosova U-21, por debutimi i tij erdhi më datën 13 nëntor të këtij viti, dhe atë në ndeshjen kundër Shqipërisë U-21. Mesfushori me tipare sulmuese ishte titullar në humbjen e “Dardanëve” nga “Kuqezinjtë” me rezultatin 1:0. Ai luajti për 69 minuta dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë. Limani pranon se ishte ndjenjë e veçantë debutimi i tij te Kosova kundër Shqipërisë, për të cilët ka luajtur më herët.
“Kisha ndjenja të mira të debutoja me Kosovën U-21 pas paraqitjeve të mira që kisha me grupmoshën U-19. Debutimi erdhi pikërisht kundër Shqipërisë dhe ishte diçka shumë e veçantë. Kishim probleme të kuptohemi pasi ishim grup i ri që nuk kishim luajtur më herët së bashku. Aq sa mu dha mundësia, u mundova ta ndihmoj ekipin duke krijuar disa raste të mira, por nuk ia dolëm. Si lojtar nuk je asnjëherë i kënaqur kur nuk luan, por unë jam i gatshëm gjithmonë të jap më të mirën për Kosovën. Kur jam në fushë, unë mendohem të jap më të mirën për ta ndihmuar shtetin tim”, tha ai.

Limani shton se në rezultatet e Kosovës ka ndikuar shumë edhe situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe grupi i ri i lojtarëve.
“Mendoj se kanë ndikuar shumë faktorë, e ndër ta edhe pandemia që ka qenë pengesë e madhe që të krijohet një grup i mirë dhe nuk kemi arritur suksese. Këto probleme i kanë pasur edhe shtetet e tjera, por ato janë më të organizuara dhe me mundësi më të mëdha në shumë aspekte”, tha Limani.
E rëndësishme për Limanin është që ta përfaqësojë kombin shqiptar, qoftë për Kosovën apo Shqipërinë.
“Herën e parë e kam veshur fanellën e Shqipërisë U-17, te trajneri Erjon Bogdani. Më pas më ka ardhur ftesa e Kosovës, të cilën e kam pranuar. Kam luajtur të gjitha ndeshjen për Kosovën U-19. Në dhjetë ndeshje kam shënuar dy gola dhe ia kemi dalë që të kualifikohemi në raundin elitar në rrugën drejt Kampionatit Evropian. Kjo ishte edhe hera e parë që Kosova po merrte pjesë në këto kualifikime dhe ishte sukses i madh për ne”, thotë Limani. “Ka pasur interesim nga Shqipëria. Kemi kontakte edhe tash. Unë nuk e kam lënë Shqipërinë dhe nuk do ta lë as Kosovën. Jam i gatshëm të jap gjithçka për kombin tim, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj pasi ia kemi borxh atdheut tonë”.
Gentrit Limani është ndër futbollistët e rrallë të Kosovës, të cilët kanë luajtur për grupmoshën U-19 dhe U-21, kurse në të ardhmen synon të paraqitet edhe për Kosovën A. Sipas Limanit, e arritura më e madhe për një lojtar është veshja e fanellës së vendlindjes së tij.
“Sipas mendimit tim, kulmi i të arriturave për një lojtar është kur ai përfaqëson atdheun e vet, kombin e vet. Unë jam pjesë e Kosovës U-21, kurse më herët kam luajtur edhe për Kosovën U-19 dhe Shqipërinë U-17. Janë ndjenja të papërshkrueshme, pasi në lojë e ki atë ndjenjën se e ke krejt kombin parapa dhe të ndihmon që të arrish suksese”, deklaroi Limani, i cili zbulon edhe synimin jetësor. “Gjithsesi, synimi im është që të vesh fanellën e Kosovës A. Por, atë dua ta arrij me meritë, me punë dhe me sukseset e mia. Pas çdo suksesi tim, 100 për qind qëndron familja ime, por edhe të gjithë ata që më kanë përkrahur që nga fëmijëria. Do t’u jem mirënjohës për jetë”.
Karrierën e nisi në rrugët e Frankfurtit

Futbollisti Gentrit Limani ka folur edhe për karrierën e tij. Ai thotë se ka nisur të luajë futboll në shtëpinë e tij, e më pas është zhvendosur në rrugët e Frankfurtit. Pas një kohe të shkurtër, ia doli që të bëhet pjesë e akademisë së skuadrës së madhe gjermane, Frankfurt. Të gjitha sukseset e deritanishme, Limani ia atribuon familjes së tij.
“Unë kam filluar të luaj futboll në moshë të re, kryesisht kam luajtur me motrën Valentinën dhe atë në shtëpinë tonë, ku në shumë raste edhe kemi bërë dëme, duke e thyer edhe televizorin. E kemi pasur lirinë e madhe nga babai, i cili na ka përkrahur dhe vazhdon të në përkrahë. Kemi luajtur edhe në rrugët e Frankfurtit, duke goditur me top në muret e shtëpive të ndryshme. Ne kemi banuar në qendër të Frankfurtit dhe aty kemi luajtur, ku ka pasur edhe ankesa nga shumë fqinj gjermanë”, kujton Limani. “Në moshën gjashtëvjeçare jam regjistruar në një klub të futbollit dhe pas lojërave të mira, i kam pëlqyer akademisë së Frankfurtit. Te Frankfurti ka pasur konkurrencë të madhe, e ku kemi zhvilluar shumë ndeshje me ekipet e forta në Gjermani dhe kemi marrë pjesë edhe në turne në vendet e ndryshme të Evropës. Puna profesionale që është bërë te Frankfurti me kushte shumë të mira, si në infrastrukturë e po ashtu edhe në aspektet profesionale, kanë bërë që unë të jem këtu ku jam. Te Frankfurti kam qenë deri në moshën 17-vjeçare”.
Limani përveç aktivizimit te të rinjtë e Frankfurtit, Bochumit dhe tani Hamburgut, ka luajtur edhe për të rinjtë e Kicker Offembachut. Gentrit Limani është vëllai i ish-kapitenes së Kosovës në kategorinë e femrave, Valentina Limani, e cila për shkak të shkollimit, e braktisi futbollin në këtë vit. Ajo ishte ndër lojtaret më të mira të Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe në FIFA. Gentriti dhe Valentina Limani ishin rast i rrallë që motër e vëlla luajnë për vendlindjen e tyre të lindjes, Kosovën. Personi që i shtyu drejt kësaj dhe shumë sukseseve të tjera ishte babai i tyre, Heset Limani, i cili iu ka qëndruar dhe iu qëndron çdoherë afër.