U prezantua si “befasi” në ceremoninë “Laureatët 2023”, që Federata e Futbollit e Kosovës e mbajti të dielën mbrëma. Fisnik Asllani tashmë mund të llogaritet pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Apo më saktë, konkurrent për një vend në përfaqësuese të Kosovës në futboll.
Asllani është 21-vjeçar dhe luan në qendër të sulmit. Për qendër të sulmit te Kosova e pret konkurrencë shumë e madhe. Madje edhe për përfshirje në ekipin përfaqësues.
Vedat Muriqi është forca e Kosovës në sulm dhe kjo nuk pritet të ndryshojë. Aktualisht Muriqi është i lënduar, por do të kthehet para se Kosova ta luajë ndeshjen e ardhshme. I lënduar është edhe Albion Rrahmani, që shpërtheu me gola te Ballkani e më pas në Rumani dhe vlerësohet kandidat i fortë për vend në përfaqësuese. Muhamet Hyseni i Llapit po shënon rregullisht gola dhe bëri paraqitje të bujshme ndaj Zvicrës, falë golit të realizuar. Në sulm i frytshëm është treguar edhe Milot Rashica, ndërsa ka edhe kandidatë të tjerë për një apo dy pozita sulmuese, varësisht se si do të përcaktohet përzgjedhësi i ri i Kosovës.
Dhe në listën e kandidatëve tani shtohet edhe Fisnik Asllani. Njëjtë si Muriqi e Rrahmani, Fisnik Asllani është shtatlartë. Është i lindur në Gjermani dhe i zhvilluar në këtë vend. Rastin e parë megjithatë ia dha Kosova U17, në vitin 2019. Si shumica e lojtarëve të tjerë shikoi për mundësi më të mira dhe të njëjtin vit luajti për Gjermaninë U18. Më pas i zhvilloi shtatë ndeshje për Gjermaninë U20 dhe i shënoi tre gola gjatë viteve 2022 e 2023. Nuk e fitoi ratin te Gjermania U21 dhe tani është në dispozicion të Kosovës.
Talenti i tij është vlerësuar lart dhe nuk vëhet në dyshim. Është zhvilluar në Berlin, ku edhe është i lindur. Fillimisht ishte te Dynamo Berlini e më pas tek Union Berlini. Në vitin 2020 u transferua te Hoffenheim II.
Depërtoi edhe në ekipin e parë të Hoffenheimit, por pa ia dalë të stabilizohet. Dhe këtë edicion po luan huazim tek Austria Vjena në Austri.
Në 11 ndeshje në Bundesligën e Austrisë ka shënuar tre gola dhe e ka një asistim. Në dy ndeshje për Kupë e ka një gol.
Edicionin e kaluar i kishte tetë ndeshje në Bundesligën gjermane për Hoffenheimin. Nuk shënoi e nuk asistoi. Ndërkohë në kategorinë e katërt gjermani i kishte 14 gola e pesë asistime në 22 paraqitje për Hoffenheim II.
Në Bundesligën gjermane kishte debutuar që më 20 nëntor të vitit 2021. Atë edicion i kishte dy paraqitje, por pak minuta. Megjithatë Hoffenheimi po dëshmonte se çmon talentin e kosovarit duke ia dhënë rastin në ekipin e parë.
Verën e kaluar te Hoffenheimi vlerësuan se liga regjionale e Gjermanisë nuk është e mjaftueshme për zhvillimin e Asllanit. Për këtë arsye vendosën që ta huazojnë në ligën kryesore në Austri. U vlerësua hap i rëndësishëm për zhvillimin e sulmuesit qëndror. Hoffenheimi nuk i garantonte hapësirë loje në Bundesligën gjermane për shkak të konkurrencës së madhe dhe një lëndimi që e kishte pësuar gjatë përgatitjeve. Ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit 2026.
Debutimi me Kosovën do të mund t’i jepte shtytje karrierës së Asllanit. Në verë ai pritet të kthehet te Hoffenheimi dhe nëse kthehet si reprezentues do të jetë një plus i madh.
“Jam shumë i lumtur që më ka ardhur mundësia për të luajtur për Kosovën. Jam i lumtur për familjen time që më ka qëndruar gjithmonë afër. Faleminderit edhe Federatës së Futbollit të Kosovës”, ka thënë Asllani, pasi nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, u prezantua si lojtar i ri i Kosovës.
Kosova në mars do t’i luajë ndeshjet e radhës. Por, më parë duhet të vendoset për përzgjedhësin e ri.