Sport

Pas suksesit ndaj Dortmundit, Paqarada synon ta fitojë “derbin më të madh”

Të martën St. Pauli bëri ndeshje të madhe dhe e eliminoi Borussia Dortmundin në 1/8 e finales të Kupës së Gjermanisë. Paraqitje të madhe bëri Leart Paqarada që e kompletoi ndeshjen për St. Paulin.

Futbollisti kosovar luajti për herë të 44-t rresht në një ndeshje zyrtare me St. Paulin, që bën gara në Bundesliga 2. Skuadra e Paqaradës kërkon promovimin në elitë, por edhe suksesin në garën për Kupë.

Në fillim objektivat nuk kanë qenë që të luftohet në të dy frontet. Por St. Pauli po ia del me shumë sukses.

të fituar ndaj Dortmundit të duhet një ditë shumë e mirë dhe Dortmundit i duhet të ketë një ditë jo shumë të mirë. Normalisht që ishte befasi e madhe, mirëpo besoj se ka qenë fitore e merituar. Sigurisht që është ndër fitoret më të mira prejse jam pjesë e skuadrës së St. Paulit”, ka thënë Paqarada të enjten për KOHËN.

Paqarada pjesë e St. Paulit është prej gushtit të vitit 2020, kur u transferua nga Sandhauseni, skuadër tek e cila i kaloi gjashtë vjet.

Lëvizja ishte e qëlluar. Mbrojtësi i krahut të majtë është prej lojtarëve më të vlerësuar në skuadrën që prin në rangun e dytë të futbollit gjerman. Ka kontribuuar me tri gola e gjashtë asistime në ligë e në Kupë.

“Normalisht që jam shumë i kënaqur me formën nëpër të cilën po kaloj. Me Dortmundin e kam luajtur ndeshjen e 44-t me radhë prej fillimit. Kjo tregon besimin që e kanë trajneri i skuadrës dhe gjithë drejtuesit e klubit ndaj meje”, theksoi 27-vjeçari.

Xhiroja e radhës për Paqaradën dhe skuadrën e tij do të jetë shumë e vështirë. Të premten nga orën 18:30, St. Pauli do të luajë në udhëtim te Hamburgu, një rival i kamotshëm. Vlerësohet një prej ndeshjeve më të zjarrta në futbollin gjerman. Edhe Hamburgu shkaktoi befasi në Kupë duke e eliminuar Koelnin e Bundesligës. Hamburgu është në vendin e pestë në Bundesliga 2 me 31 pikë.

Rivaliteti i skajshëm i këtyre dy skuadrave daton prej viteve 1980. Ka të bëjë me ideologjitë e ndryshme të tifozëve.

Vetëm dy mijë tifozë do të lejohen në stadiumin e Hamburgut për shkak të masave parandaluese të koronavirusit.

“Kemi shanse të mëdha për të hyrë në Bundesligë, ndërsa e kemi kaluar edhe një raund tjetër në Kupën e Gjermanisë. Kanë mbetur vetëm edhe tetë ekipe dhe gjithçka mund të ndodhë”, ka thënë Paqarada, i cili shtoi se fitorja ndaj Dortmundit mund ta ndihmojë ekipin në suksesin e radhës.

Paqarada ka qenë rregullisht i ftuar te Përfaqësuesja e Kosovës për kohë të gjatë. I ka zhvilluar 21 ndeshje në total, derisa e ka edhe një gol të shënuar. 45 minutat e fundit me fanellën e Kosovës i ka luajtur ndaj Lituanisë në miqësoren e 24 marsit të vitit të kaluar. Pasi nuk u aktivizua ndaj Spanjës e Suedisë deklaroi se nuk do të grumbullohej më për aq kohë sa Bernard Challandes të ishte selektor. Pas largimit të Challandesit ka shprehur dëshirë të kthehet.

“Unë gjithmonë kam treguar që jam i gatshëm. Kushdo që të bëhet trajner. Nuk e di dhe nuk është në dorën time nëse më vjen ftesa për ndeshjet e muajit mars. Kontributin mund ta jap vetëm në fushën e lojës, aty e jap maksimumin”, theksoi Paqarada.

Kosova në mars e luan miqësore kundër Zvicrës, e cila tashmë është konfirmuar.