Humbja 2:1 në shtëpi në kuadër të xhiros së 31-të nga skuadra e Darmstadtit për St. Paulin po vlerësohet si vendimtare në fatin e skuadrës ku luan Leart Paqarada. Pas asaj disfate, St. Pauli barazoi në një ndeshje, u mposht në një tjetër nga rivali direkt për t’u inkuadruar në Bundesligë, përpara se të triumfojë në xhiron e fundit të këtij sezoni. St. Pauli e mbylli kampionatin në Bundesligën 2 në vendin e pestë me 57 pikë. Megjithatë, Paqarada ka thënë se nuk do të ndalet së provuari që të luajë në elitën e futbollit të Gjermanisë. Nuk e ka pasur asnjëherë rastin deri më tani.
“Kam kontratë me St. Paulin, por nuk mund të bësh premtime në futboll”, ka thënë Paqarada kur është pyetur nëse St. Pauli do ta ketë mbrojtësin e krahut të majtë në ekip për sezonin tjetër, ka shkruar të enjten “transfermarkt.de”.
Paqarada, 27-vjeçar, është vlerësuar për paraqitje të mira në këtë edicion. Ishte edhe kontribuues i madh në disa ndeshje, madje në tërë kampionatin. Shënoi tre gola, ndërsa asistoi në 11 të tjerë në 37 ndeshje në të gjitha garat. Ditë më parë, mediat gjermane kanë raportuar se Paqarada do të luajë në Bundesligë, por nuk është bërë i ditur ekipi. Futbollisti i Kosovës nuk e mohon një gjë të tillë.
“Autorët e artikujve dinë më shumë se unë. Është e qartë që një futbollist gjithmonë është në ndjekje të ëndrrës për të luajtur në Bundesligë. Edhe unë e përcjellë atë ëndërr. Por se çfarë do të sjellë e ardhmja, nuk mund ta them tani. Mendoj se kam luajtur një sezon shumë të mirë. Edhe kur shkruhet diçka e tillë, është pjesë e futbollit. Më nderon mua dhe është një konfirmim për mua. Por nuk është një çështje që mund ta thuash tani me siguri të plotë”, është shprehur Paqarada.
Për një largim të Paqaradës në verë, sinjale pozitive ka dhënë edhe drejtori sportiv i skuadrës, i cili ka thënë se mund të ketë lëvizje. Megjithatë, edhe nëse do të qëndronte në St. Pauli, Paqarada nuk do ta kishte problem. Ai thotë se në këtë ekip mund të zhvillohet ende.
“Qëkur kam ardhur këtu, kam bërë hapin e madh që ndoshta nuk e ka besuar askush se mund ta bëj. Ende shoh potencial për t’u zhvilluar këtu. Kemi një ekip të trajnerëve të cilët përveç suksesit të ekipit, luajnë rol të rëndësishëm në punën që e bëjnë me secilin futbollist në mënyrë individuale. Ata janë të shkëlqyer dhe kam fituar shumë nga ta po ashtu”, ka thënë Paqarada.
Para disfatës nga Darmstadti, St. Pauli kishte barazuar në dy ndeshje rresht. Për Paqaradën, barazimi me Sandhausenin nuk është dashur të ndodhë, siç nuk është dashur të ndodhte as barazimi me Werder Bremenin.
“Pavarësisht nëse rezultati është i drejtë apo jo, dhemb njësoj. Me fitore kundër një kundërshtari si Bremeni do të mund të kishim edhe më shumë avantazh. Shumë gjëra nuk kanë shkuar mirë për fatin tonë të keq në ndeshjet e fundit, apo në javët e fundit. Dhe mbi të gjitha ishte ndeshja me Schalken. Ishte reflektim i gabimeve të mëhershme”, ka theksuar Paqarada.
Paqarada është futbollist i Kosovës po ashtu, por nuk është grumbulluar me “Dardanët” tash e një kohë të gjatë, për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-përzgjedhësin Bernard Challandes. Ai ka luajtur në 21 ndeshje me Kosovën, ndërsa e ka një gol të shënuar. Ka luajtur edhe për grupmoshën U16 e U17 të Gjermanisë dhe U21 të Shqipërisë.