Nedim Bajrami është në disponim. Ka arsye për këtë.
Pas një stinori të mirë me Empolin në Serie A, Bajrami të enjten i është bashkuar familjes në Zvicër për pushime.
Mesfushori 22-vjeçar të mërkurën shënoi një gol me gjuajtje të fortë, siguroi penallti, ndërsa qëlloi edhe një traversë në humbjen 4:2 ndaj Milanit, në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor të elitës së futbollit italian. Për Bajramin ishte goli i katërt në Serie A, ndërsa ka asistuar katër herë në 17 ndeshje. Dy gola i ka shënuar në dy ndeshje për Kupë të Italisë.
Paraqitjet në fushë kanë bërë që në shumë mediume në Itali, Bajrami të vlerësohet ndër më të mirët e pjesës vjeshtore.
Bajrami të enjten për KOHËN ka thënë se nuk e di nëse ka qenë më i miri. Por, ai ngul këmbë se më të mirën e ka dhënë në çdo ndeshje.
“Nuk e di a kam qenë më i miri, por më të mirën jam munduar të jap në çdo ndeshje që jam paraqitur. Jam i kënaqur me paraqitjet e mia në të gjitha ndeshjet. Sigurisht se secili lojtar mundet edhe më shumë, por unë jam i kënaqur me paraqitjet që kisha edhe pse kam mundur të kisha më shumë minuta në fushë. Por është trajneri që vendos për hapësirën time. Unë mundohem të jem gati në çdo ndeshje duke dhënë maksimumin në stërvitje. Jam në moment të mirë, por sigurisht se do të vazhdoj ta jap më të mirën si në stërvitje ashtu edhe në fushë”, ka thënë Bajrami për KOHËN, të enjten.
Nedim Bajrami është pjesë e Empolit prej vitit 2019. Ai u huazua te Grasshoppersi, ku edhe u zhvillua si futbollist, ndërsa në shtatorin e vitit të kaluar u kthye te Empoli. Te skuadra italiane ka shkëlqyer, megjithëse pret të ketë më shumë hapësirë në pjesën e dytë të kampionatit italian.
“Shpresoj që të kem më shumë hapësirë në pjesën tjetër të edicionit. Dua të vazhdoj të luaj si në këto ndeshjet e fundit. Synimi im në fushë është ta jap më të mirën dhe shpresoj që edhe pjesa e dytë e kampionatit të dalë ashtu si pjesa e parë, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Bajrami.
Në Itali është raportuar se paraqitjet e mira Bajramin e bëjnë lojtar interesant edhe në tregun e transferimeve. Por reprezentuesi i Shqipërisë insiston se është i fokusuar tek Empoli këtë edicion.
“Jam i fokusuar maksimalisht me Empolin. 100 % jam i fokusuar për skuadrën dhe nuk e di për të ardhmen time. Me klubet është menaxheri që merret, ndërsa unë jam për ta dhënë më të mirën”.
Empoli e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e nëntë me 27 pikë pas 19 xhirove.
“Me këto pikë që i kemi arritur deri këtu, gjendja është shumë e mirë. Uroj të vazhdojmë kështu”, ka deklaruar mesfushori ofensiv.
Ai shquhet për teknikën e mirë e po ashtu edhe për gjuajtjet nga distanca, që shpesh kanë përfunduar në rrjetë.
Bajrami është vlerësuar shumë edhe në Shqipëri. Para se t’i bashkohej Shqipërisë, Bajrami luajti për ekipet zinxhirë të Zvicrës. Shqipërisë iu bashkua në shtator të këtij viti. Ka luajtur gjashtë ndeshje, ndërsa pret të tregojë vlerat edhe në të ardhmen.
Shqipëria është në Ligën B të Ligës së Kombeve. Është pjesë e Grupit 2 bashkë me Izraelin, Rusinë, Islandën. Ndeshjet do të luhen në qershor dhe shtator të vitit 2022. Bajrami i vlerëson të vështira përballjet, por thotë se do të luftojnë për të fituar pikët maksimale.
“Grupin në të cilin jemi nuk është i lehtë, por edhe ne kemi skuadër të fortë dhe ka kohë për ndeshjet e Shqipërisë. Megjithatë duhet ta dimë që këto ndeshje janë të forta dhe shpresojmë që bëjmë më të mirën”, ka thënë Bajrami.