Sport

Pas përvojës te Prishtina e Peja, Armstead i vendosur të dëshmohet tek Ylli në Kosovë

Pas dy aventurave të shkurtra dhe jo fort të suksesshme në Kosovë, fundori amerikan, Malcolm Armstead, vjen për herën e tretë në elitën e basketbollit kosovar. Armstead në edicionin 2022/23 do ta bartë fanellën e kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit. Me ekipin nga Suhareka, Armstead synon të fitojë trofe për të qenë shumë më i suksesshëm se në dy periudhat e para në Superligë.

Ylli është ekipi i tij i tretë në Kosovë pas Sigal Prishtinës dhe Pejës. Armstead luajti për Sigal Prishtinën në sezonin 2018/19 por u paraqit vetëm në dy ndeshjet e 1/8 së finales të FIBA Europe Cup që ekipi kryeqytetas i luajti kundër Vareses nga Italia. Në edicionin 2019/20 iu bashkua Pejës, por edhe aty nuk zgjati shumë aventura e amerikanit. Tani, Armstead insiston se do ta mbyllë edicionin e ri me skuadrën e Yllit. Armstead llogaritet vendor, pasi është i pajisur me pasaportën e Kosovës në vitin 2018, ndërsa një vit më vonë debutoi me fanellën e “Dardanëve”.

“Synimi im është shumë i qartë. Të luajë në Kosovë dhe të fitojë me Yllin trofe, gjë që nuk e bëra me Prishtinën e me Pejën. Pra ta dëshmoj veten si lojtar i suksesshëm. Te Prishtina dhe Peja sapo isha kthyer nga një lëndim i rëndë dhe nuk arrita të tregoj cilësitë e mia të vërteta. Mirëpo, tani jam i gatshëm dhe me padurim pres fillimin e sezonit”, ka insistuar Armstead.

Sezonin e fundit, 33-vjeçari luajti në kategorinë e dytë të Greqisë, tek ekipi Enosi Kavalas, ku pati një mesatare prej 12.7 pikëve, 4.7 kërcimeve dhe 6.1 asistimeve për ndeshje. Ai luan në Evropë prej vitit 2013, ndërsa ka bartur edhe fanellat e skuadrave si Fribourg Olympic (Zvicër), Gostivari (Maqedoni e Veriut), Kymis, Rethymo, AEK (Greqi), Neptunas (Lituani), Buyukçekmece, Belediye, Istanbul BB (Turqi), Avtodor Saratov (Rusi) dhe Krka (Slloveni).

Në Evropë, Armstead ka fituar hiç më pak se pesë trofe. Ka filluar me titullin e kampionit në Zvicër. Fitoi pastaj titullin në Slloveni, ku gjithashtu ka fituar edhe dy kupa e një Superkupë.

Armstead (183 cm) nuk hezitoi ta pranojë ofertën e skuadrës së Yllit, duke thënë se ishte momenti i duhur. Ai do ta ketë mundësinë të luajë edhe në Evropë, pasi Ylli do të luajë në turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në rast se nuk siguron kalimin në fazën e grupeve, atëherë do të paraqitet në FIBA Europe Cup, garë në të cilën paraqiten edhe Sigal Prishtina e Trepça.

Për Yllin, që është shpallur kampion i Kosovës në dy edicionet e fundit, kjo është hera e parë që do të paraqitet në arenën ndërkombëtare.

“Mendoj se ishte koha e duhur për t’u kthyer në Superligën e Kosovës për të luajtur dhe mbi të gjitha të kem mundësinë të paraqitem edhe në Evropë. Do të jetë diçka fantastike, si për mua ashtu edhe ekipin. Shpresoj të tregohemi të suksesshëm edhe në Evropë, pasi në Kosovë sigurisht se do të luftojmë për trofe”, u shpreh Armstead.

Edhe pse nuk ishte në Kosovë, Armstead tregon se vazhdimisht e ka përcjellë kampionatin kosovar dhe pranoi se liga është cilësore, duke u bazuar në transferimet që po i bëjnë skuadrat. Ai tek Ylli do të jetë sërish bashkëlojtar me Henrik Shirkon, me të cilin luajti edhe te KB Peja.

“Sigurisht se e kam përcjellë kampionatin. Po ashtu kam pasur disa miq që kanë luajtur në Kosovë dhe më kanë thënë se cilësia është ngritur. Besoj se do të jetë një edicion shumë interesant dhe me konkurrencë të fortë”, shtoi Armstead.

Armstead shpreson se me paraqitje të mira tek Ylli do të ftohet edhe te përfaqësuesja e Kosovës. Megjithatë, synimin primar e ka ta ndihmojë skuadrën nga Suhareka të arrijë objektivat për sezonin e ri, që do të startojë në muajin shtator.

“Thjesht jam mirënjohës që do të mund të luaj për Yllin dhe shpresoj ta shpërblej me paraqitje të mira besimin e ekipit. Pastaj, për gjërat e tjera, do të shohim”, shtoi Armstead.