Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas mungesës të gjatë te Franca, Benzema kërkon triumfin në “Euro 2020”

Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema ka synime të mëdha në “Euro 2020” që nis më 11 qershor. Ai synon ta fitojë titullin e kampionit të Evropës.

Benzema u përfshi në listën e lojtarëve nga përzgjedhësi Didier Deschamps për Evropian, duke u kthyer te Franca pas një mungese prej gjashtë vjetësh. Benzema ishte lënë jashtë ekipit të Francës që nga viti 2016 për rolin e tij të pretenduar në një komplot shantazhi, duke munguar në dy turnetë e mëdha të futbollit.

Ai nuk ishte pjesë e Francës në “Euro 2016” të mbajtur në këtë vend derisa Benzema mungoi edhe në triumfin e francezëve në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Benzema 33-vjeçar ka zbuluar se është ndje krenar për ftesën që e ka marrë nga Franca, e cila pasoi pas bisedimeve që i kishte me përzgjedhësin Deschamps në fillim të këtij muaji. Sipas Benzemas, suksesi në “Euro 2020” do të ishte i mirëseardhur për Francën, si kampione në fuqi e botës.

“Unë dua të fitoj një trofe me ekipin francez. Në fakt, dua ta fitoj Evropianin që do të ishte i mirëseardhur duke pasur pararasysh se jemi kampionë të botës”, ka thënë Benzema.

Benzema, i cili ka 27 gola në 81 paraqitje me Francën, u zgjodh javën e kaluar si lojtari më i mirë francez i këtij sezoni nga shoqata e lojtarëve të vendit. Ai ishte golashënuesi më i mirë i sezonit 2020/21 te Real Madridi. Benzema realizoi 30 gola dhe asistoi nëntë herë në të gjitha garat për skuadrën madrilene.

Benzema ka kritikuar vazhdimisht Deschampsin dhe Federatën e Futbollit të Francës për lënien e tij jashtë ekipit, duke përmendur racizmin si një faktor në largimin e tij. Mirëpo, ai tha se këto kritika tashmë i takojnë të shkuarës pasi i ka sqaruar të gjitha me përzgjedhësin Deschamps.

Edhe Konfirmohet kthimi i Benzemas te Franca Sport Konfirmohet kthimi i Benzemas te Franca

“Ne thamë shumë gjëra. Gjërat që duhej t’i kishim thënë për një kohë të gjatë. Ishte një shpjegim i mirë, me fjalë të rëndësishme dhe më vjen mirë që tashmë jemi qartësuar për gjithçka”, tha Benzema. “Unë nuk do të kthehem te Franca për ta lënë nën hije dikë apo për t’ia zënë vendin dikujt. Unë jam pjesë e ekipit për t’i ndihmuar në të gjitha mënyrat në Evropian”.

Përfaqësuesja e Francës i nis garat në “Euro 2020” më datën 15 qershor kundër Gjermanisë në Munich në kuadër të Grupit F. Ndërsa, pjesë e këtij grupi janë edhe Hungaria e Portugalia.