Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pas largimit të Kloppit, Van Dijk i pasigurt për të ardhmen te Liverpooli

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka thënë se nuk është i sigurt nëse do të jetë pjesë e ekipit anglez pas largimit të trajnerit Juergen Klopp. Trajneri gjerman ditë më parë i befasoi të gjithë kur paralajmëroi largimin nga Liverpooli me të përfunduar edicioni aktual.

Van Dijk ishte transferuar te Liverpooli me kërkesën e Kloppit në vitin 2018 nga Southamptoni. Madje, Liverpooli për shërbimet e tij kishte paguar 80 milionë euro kurse Van Dijk ka kontratë deri në verën e vitit 2025.

I pyetur se a do të jetë pjesë e Liverpoolit pas epokës së trajnerit Klopp, mbrojtësi holandez, Van Dijk, u përgjigj shkurt: “Kjo është një pyetje e madhe. Nuk e di”.

Edhe asistentët e Kloppit, Pepijn Lijnders e Peter Krawietz, si dhe trajneri kondicional Vitor Matos, do të largohen nga Liverpooli, së bashku me teknikun gjerman. Ndërkohë kontrata e sulmuesit Mohamed Salah dhe e mbrojtësit Trent Alexander-Arnold skadojnë vitin tjetër dhe nuk dihet nëse edhe ata do të pranojnë rinovimin pas largimit të Kloppit.

“Klubi sigurisht ka shumë punë kur të përfundojë edicioni. Nuk do të ketë punë vetëm për ta zëvendësuar trajnerin, por edhe stafin e tij, si dhe të sigurojë rinovimin e kontratave me disa lojtarë”, pranoi Van Dijk. “Jam kurioz ta shoh se në çfarë drejtimi do të shkojë klubi dhe cila do të jetë situata e futbollistëve pas përfundimit të këtij kampionati”.

Liverpooli këtë edicion është në garë për katër trofe, duke filluar nga Kupa FA, Premier League, Carabao Cup dhe Liga e Evropës.

“Ky edicion do të jetë edhe fundi i epokës së Juergen Kloppit dhe unë jam ende pjesë e saj. Kështu që nuk dua të flas shumë pasi jam i fokusuar ta ndihmoj ekipin ta mbyllë edicionin me sa më shumë suksese”, shtoi Van Dijk. “Shpresojmë të fitojmë të gjithë trofetë dhe pastaj të vendosim për të ardhmen. Do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë verës”.

Van Dijk tashmë ka fituar shtatë trofe me Liverpoolin, përfshirë titullin e kampionit të Anglisë dhe Ligën e Kampionëve. Këtë edicion ai ka kontribuar me dy gola dhe po aq asistime në 24 paraqitje në të gjitha garat.

Aktualisht Liverpooli është lider në Premier League me 48 pikë të mbledhura, pesë më shumë se kampioni në fuqi, Manchester City, i cili ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

Artikuj të ngjashëm