Nuk kishte festë me shqiponjën dykrenore. Nuk kishte as tensione me lojtarët kundërshtarë në fushë e tifozët kundërshtarë në tribuna. Nuk kishte as fanellë me mbiemrin “Jashari” të vendosur në gjoks.
Por Granit Xhaka sërish ishte protagonist. Dhe sërish bëri krenarë shumë shqiptarë.
Pas dy fitoreve ndaj Serbisë në ngjarjen më të madhe, në Botëror, Xhaka shënoi fitore në territorin e Serbisë. Të shtunën mbrëma ai udhëhoqi mesfushën e Zvicrës që fitoi bindshëm e lehtë, 5:0, ndaj Bjellorusisë. Ndeshja u luajt në stadiumin “Karagjorgje” në qendër të Novi-Sadit, në Serbi. Nuk kishte shikues në tribuna, por kishte shumë policë e pjesëtarë të sigurimit në stadium dhe përreth tij. Madje policët ishin të vendosur edhe në pika të larta në objektin përballë stadiumit.
Nuk pati as dramë e momente tensioni gjatë ndeshjes të luajtur në temperatura të ulëta. Atmosfera ishte e zymtë te vendësit e me gjasë edhe te organizatorët teknikë të takimit.
Bjellorusia së shpejti mund të përjashtohet nga kualifikimet për shkak të përkrahjes së Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës. Aktualisht UEFA e lejon Bjellorusinë të luajë ndeshje në terren neutral dhe pa shikues. Bjellorusët vendosën që Zvicrën ta presin në Novi-Sad të Serbisë, me gjithë episodet shumë të përfolura të Xhakës e Xherdan Shaqirit me serbët në dy Botërorët e kaluar. Ka pasur drojë për ndonjë incident apo tension në Novi-Sad.
Por ndeshja ka kaluar në qetësi të plotë dhe pa ndonjë zhvillim. Shaqiri e Andi Zeqiri i munguan Zvicrës për shkak të lëndimeve, kështu që për në Serbi udhëtoi vetëm kapiteni Xhaka prej shqiptarëve.
Bjellorusët, që në Novi-Sad kanë luajtur edhe disa ndeshje vjet, prej të hënës kanë stërvitur në këtë qytet. Ndërkohë Zvicra udhëtoi vetëm të premten mbrëma, ndërsa u vendos dhjetëra kilometra larg Novi-Sadit. Në stadiumin “Karagjorgje” lojtarët e Zvicrës nuk kanë stërvitur, ndërsa të udhëhequr nga Xhaka së pari dolën 40 minuta para se të niste ndeshja. Përfaqësuesen e Zvicrës e ka shoqëruar edhe një ekip i policëve zviceranë gjatë qëndrimit në Serbi.
Mesfushori shqiptar nuk ka pasur ndonjë episod të pakëndshëm në stadium. Të paktën nuk është parë ndonjë i tillë. Nuk ka festuar me shumë pasion, por ka shkëlqyer në fushë. Dha pasimin për golin e dytë, shënoi golin e katërt dhe asistoi shkëlqyeshëm për golin e pestë. Më pas u zëvendësua.
“Pasimi nga Granit Xhaka ishte shumë i mirë”, ka thënë Zeki Amdouni që shënoi golin e pestë për Zvicrën.
Pas ndeshjes kanë folur shumë lojtarë të Zvicrës e po ashtu selektori Murat Yakin. Por jo edhe Xhaka.
“Jo, nuk ka shanse. Xhaka nuk flet”, ka thënë zëdhënësi i Federatës zvicerane për gazetarin e KOHËS. Ai i sillte lojtarët një nga një për t’u intervistuar nga gazetarët e shumtë zviceranë. Nuk ka pasur gazetarë të Bjellorusisë, pos atyre të Federatës. Ndërkohë të pranishëm ishin edhe disa gazetarë serbë.
Lojtarët e Zvicrës që nuk luajtën ndaj Bjellorusisë zhvilluan stërvitje në stadium, me të përfunduar ndeshja. Pritja për të dalë Xhaka nga pjesa ku gazetarët nuk kishin qasje, ishte e kotë. Zviceranët u kujdesën që të shmangen të gjitha kontaktet me të.
Këtë herë Xhaka u shpreh vetëm në fushë. U shpreh shkëlqyeshëm për tjetër fitore të veçantë në karrierën e tij të madhe.