Futboll

Xhakën nuk e befasuan veprimet e serbëve, ai kërkon fitore ndaj Danimarkës

Granit Xhaka

Kur doli në fushë u fishkëllye. Sa herë që preku topin në pjesën e parë, po ashtu u fishkëllye.

Por kjo nuk e ka befasuar kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka. Këto veprime të tifozëve serbë, të shtunën mbrëma në Leskovc, Xhaka i ka pritur.

Ai ka mposhtur Serbinë në dy Botërorët e kaluar. Dhe ishte në qendër të vëmendjes. Në qendër të vëmendjes ishte edhe të shtunën mbrëma në Leskovc, por këtë herë Zvicra u mposht 2:0.

Kishte fishkëllima të tifozëve serbë edhe kur u intonua himni i Zvicrës. Kishte edhe thirrje të vazhdueshme “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera të ngjashme. Ka pasur edhe përleshje të huliganëve serbë me policinë serbe.

Asgjë prej këtyre nuk e ka befasuar Xhakën.

Sjelljet e lojtarëve në fushë, megjithatë, ishin korrekte. Nuk kishte asnjë provokim e asnjë moment tensioni.

“Do të isha befasuar nëse serbët nuk do të fishkëllenin. Në përgjithësi loja ishte korrekte. Edhe unë jam munduar të sillem shumë pozitivisht dhe korrekt në fushë. Natyrisht, do të doja të merrnim tri pikët”, ka thënë Xhaka të hënën në konferencë për shtyp.

Ai nuk ishte deklaruar asnjëherë gjatë gjithë javës së kaluar. Federata zvicerane ishte e interesuar që të mbante presionin sa më larg kapitenit Xhaka.

Mesfushori kosovar nuk ishte deklaruar as pas ndeshjes. Të hënën u paraqit përkrah selektorit Murat Yakin në konferencë për shtyp.

Zvicra i ka humbur tri ndeshjet e deritashme në Grupin A4 të Ligës së Kombeve. Në shtator pësoi 2:0 nga Danimarka në Kopenhagë dhe 4:1 nga Spanja në Gjenevë. Ndaj Spanjës, Xhaka ishte i suspenduar.

Kishte shumë tensione në ndeshjen ndaj Danimarkës, ndërsa Xhaka humbi kontrollin në një moment. Mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.

Helvetikët tani synojnë revanshin sportiv. Ndeshjen ndaj Serbisë e kanë lënë prapa.

“Revanshi ndoshta është fjalë e rëndë. Nuk duhet të shikojmë shumë Danimarkën. Nuk ka rëndësi se kush do të jetë në fushë. Ne vetëm duam të fitojmë”, ka thënë Xhaka.

Ndeshja ndaj Danimarkës vlerësohet vendimtare për Zvicrën në tentim për të shmangur rënien nga Liga A.

“Humbja gjithnjë dhemb, pavarësisht se si vjen. Së fundi ndoshta ishim ekip më i mirë se Danimarka. Ne duam të fitojmë dhe duhet të fitojmë”, ka shtuar Xhaka.

Selektori Yakin ka theksuar se danezët nuk ishin korrektë në Kopenhagë.

“Por nuk më pëlqen të flas për hakmarrje. Duam të luajmë për rezultat dhe të fitojmë falë kualitetit tonë”, ka thënë Yakin.

Ai ka folur edhe për lojtarët që janë pensionuar nga Zvicra. E ka përmendur edhe Granit Xhakën, duke theksuar se “ai do të luajë shumë gjatë për Zvicrën. Lojtarë të tjerë do të largohen para tij. Xhaka e shijon futbollin shumë dhe e udhëheq gjithë ekipin”.

Xherdan Shaqiri është njëri prej lojtarëve që është pensionuar nga Zvicra. Mungesa e Shaqirit po vërehet shumë.

Xhaka nuk është pajtuar që ndaj Serbisë ka munguar përkushtimi.

“Kur ftohesh në ekipin nacional je 100 për qind i përkushtuar. Nëse nuk e bën këtë je në profesionin e gabuar. Por ndaj Serbisë kjo nuk ishte çështje. Të gjithë ishin të përkushtuar”, ka theksuar Xhaka.

Pjesë e Zvicrës është edhe Andi Zeqiri. Ai pritet të jetë rezervist edhe ndaj Danimarkës, të martën nga ora 20:45 në St. Gallen.