Basketbollistët e Kosovës udhëtuan për në Bratislavë si liderë të grupit. Prej kryeqendrës së Sllovakisë janë kthyer të dielën si pjesë e përfaqësueses që ka rënë në vendin e tretë në grup. Kosova tani është jashtë zonës që dërgon në rundin tjetër, por shpreson të kthehet në të me dy fitore në dy ndeshjet fundit.
Me një paraqitje si në Bratislavë, kjo nuk është e mundshme. Në dy ndeshjet e luajtura në Bratislavë, me Sllovakinë dhe Islandën, Kosova ishte inferiore. Dhe pësoi humbje të thella.
Të enjten, Kosova humbi nga Sllovakia me rezultatin 91:67. Të shtunën humbi nga Islanda me shifrat 86:62. Nga vendi i parë, Kosova ka rënë në vendin e tretë të grupit B të rundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Dy vendet e para në grup dërgojnë në raundin e dytë të parakualifikimeve. Aktualisht e para është Islanda me 7 pikë. Sllovakia është e dyta me 6 pikë, sa i ka edhe Kosova në vend të tretë. Luksemburgu renditet i katërti me 5 pikë. Luksemburgu të shtunën befasoi Sllovakinë duke e mposhtur me shifrat 77:73. Kjo ka futur përsëri në garë Kosovën.
Më 18 shkurt janë ndeshjet Kosova – Luksemburgu e Sllovakia Islanda. Më 21 shkurt janë ndeshjet e fundit të raundit të parë parakualifikues: Kosova – Sllovakia, Luksemburgu – Islanda.
Kosova duhet t’i fitojë të dy ndeshjet për të dalë në vendin e dytë në grup dhe për të avancuar tutje. Në Federatën e Basketbollit të Kosovës shpresojnë që ndeshjet e shkurtit të luhen në Prishtinë. Dy xhirot e para ishin luajtur te skuadrat nikoqire. Kosova e kishte pritur Islandën në Prishtinë, ndërsa kishte luajtur në udhëtim te Luksemburgu. Për ndeshjet e nëntorit, FIBA vendosi që të luhen në një vend, në Bratislavë. I njëjti parim pritet të vlejë edhe për ndeshjet e shkurtit të vitit të ardhshëm.
“Pasi Luksemburgu e mposhti Sllovakinë, na është hapur mundësia që të kualifikohemi nga vendi i dytë. Ne kemi aplikuar për organizimin e ndeshjeve të muajit shkurt. Të premten Bordi iFIBA Evropës vendos. Pra ideja është që të grumbullohen katër përfaqësueses që do të qëndronin në Kosovë prej 15 deri më 21 shkurt. Do të jetë me protokoll të FIBA-s për COVID-19”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Aktualisht ka aplikuar vetëm FBK-ja për organizmin e ndeshjeve të fundit. Por FIBA kërkon që të gjitha delegacionet të qëndrojnë në një hotel, dhe ky kusht nuk plotësohet nga Kosova. FBK-ja ka aplikuar me dy hotele, ndërsa sipas Dushkut për kërkesat e tjera nuk ka problem.
“Jemi shumë të interesuar që ta organizojmë ngjarjen. Në shkurt kthehen Dardan Berisha, Lis Shoshi e Gëzim Morina. Nuk besoj se do të natyralizojmë ndonjë lojtar për ato ndeshje, por do të flasim me Scott Bamforth, që ai të jetë në përfaqësuese. Synimi është vendi i dytë që të avancojmë tutje. Na duhen dy fitore, nuk ka mundësi tjetër”, ka theksuar Dushku.
Kosovës në ndeshjet në Bratislavë për shkak të infektimit me COVID-19 i munguan Dardan Berisha, Gëzim Morina e Samir Zekiqi. Lis Shoshi ka kohë që mungon për shkak të lëndimit. Basketbollistët në dispozicion u munduan, por pa shumë sukses.
Ka kohë që përfaqësuesja e basketbollit vuan nga mungesa e lojtarëve cilësorë. Të rinjtë, që gradualisht po promovohen në skuadrat e vendit, ende nuk janë bërë të rëndësishëm për përfaqësuese. Kështu loja bazohet në emra të konfirmuar si Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati, Mikaile Tmushiq, Edmond Azemi, Alban Veseli, Fisnik Rugova e ndonjë tjetër.
“Ishin dy ndeshje të vështira me kundërshtarë që ishin në formë më të mirë të lojës se ne. Do të bëjmë vlerësimin dhe do të vazhdojmë me angazhim. Nuk mund të flas për gjasat që kemi për të avancuar pa e ditur se cilin ekip do ta kem në dispozicion. Nëse të gjithë janë të gatshëm, gjasat janë të mira”, ka thënë selektori i Kosovës, greku Christos Marmarinos.
“Do të përgatitemi maksimalisht për ndeshjet e muajit shkurt. E kemi parasysh që janë shumë të rëndësishme. Nuk do të dorëzohemi”, ka shtuar Marmarinos.