Sport

Pas debutimit, Veliu synon të lërë gjurmë në Superligën turke

Valmir Veliu

Valmir Veliu ka dhënë përgjigje të shkurtra të dielën për KOHËN, një ditë pas debutimit në Superligën turke. Por sulmuesi synon të mbahet mend gjatë në Turqi.

Ai beson se do të lërë gjurmë në elitën e futbollit turk. Futbollisti i krahut ka debutuar të shtunën te skuadra e Gaziantepit. Veliu u inkuadrua në lojë në minutën e 64-t, në barazimin që Gaziantepi e arrti si mysafir i Sivassporit. Dueli u mbyll 1:1 dhe i takoi xhiros së parë të elitës së futbollit turk.

“Me punë besoj se do t’ia arrij qëllimit. Me punë mund të arrish gjithçka dhe unë nuk do të ndalem asnjëherë”, ka thënë Veliu.

23-vjeçari u transferua te Gaziantepi nga Llapi këtë verë. Pas paraqitjeve të mira në ndeshjet parasezonale, ai fitoi besimin e shtabit teknik të ekipit turk.

Veliu është ndarë i kënaqur me debutimin te klubi turk.

“Kur kam ardhur këtu e kam ditur se do ta kem të vështirë, por klubi më ka afruar menjëherë në ekipin e parë dhe më ka bërë të ndihem shumë mirë, të lumtur. Dhe në bazë të paraqitjeve të mira e kam pritur debutimin tim sa më shpejt”, është shprehur Veliu.

Ai e vlerëson emocional debutimin te Gaziantepi.

“Debutimi ka qenë shumë i mirë. Kam pasur një emocion të madh dhe vlerësoj se kam pasur një paraqitje të mirë. Besoj se do të fitoj edhe më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme”.

Llapi ka përfituar 180 mijë euro nga shitja e Veliut te Gaziantepi, ndërsa ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të tij. Futbollisti thotë se gjithçka është duke shkuar shumë mirë.

“Janë momente të papërshkruara. Ka qenë një ndjenjë e veçantë, një emocion shumë i madh, por në momentin e futjes në fushë emocionet i kam lënë anash dhe jam fokusuar në paraqitje sa më të mirë. Besoj se do të vazhdoj me të njëjtin ritëm edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Veliu.

Ai thotë se ka marrë vlerësime pozitive pas ndeshjes nga trajneri i Gaziantepit.

“Trajneri na ka përgëzuar për paraqitjen e mirë, angazhimin dhe pikën e fituar. Kemi pasur raste të shënojmë fitore, por fati e deshi që ndeshja të mbyllej baras”, ka thënë Veliu.

Veliu te Llapi ka luajtur katër edicione, ndërsa mundësinë për të luajtur futboll thotë se e ka pasur te shkolla e futbollit “Liridoni”. Ai pret që në një të ardhme të afërt të bëjë edhe një hap tjetër të madh në karrierë.

“Synoj të paraqitem edhe më mirë se në ndeshjen debutuese që në të ardhmen të bëj një hap pse jo më të madh. Synimi është të luaj në ndonjë klub më të madh dhe me histori më të madhe”.

Lojtari nga Podujeva për Shpresat e Kosovës ka shënuar dy gola në 13 paraqitje, ndërsa një ndeshje miqësore e ka edhe me Përfaqësuesen A. Ai pret të jetë i rregullt te Kosova A.

“Kam marrë përgëzime nga drejtuesit e Përfaqësueses. Pres se në bazë të paraqitjeve të marr ftesën. Do të jem gjithmonë i gatshëm ta përfaqësoj vendin tim. Është ëndërr e çdo lojtari të luaj dhe të jap gjithçka nga vetja për Kosovën. Shpresoj të paraqitem mirë me ekipin dhe të arrij të luaj për Përfaqësuesen A. Është nder dhe krenari të luaj për Kosovën”, ka theksuar Veliu.

Veliu ka thënë se rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Por me punë ka arritur ta bëjë hapin e madh në karrierë.

“Nuk e kam pasur ëndërr të vij deri këtu ku jam, por kam mësuar se me punë gjithçka është e arritshme. Të gjithë atyre që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim besoj se do t'ua shpërblej me paraqitje dinjitoze. Do t’ua dëshmoj që nuk kanë gabuar që ma kanë dhënë mundësinë t’i tregoj vlerat e mia”, ka thënë Veliu.

Gaziantepi për edicionin e tretë rresht luan në elitën turke. Një kohë të gjatë ka luajtur në kategorinë e dytë të Turqisë.