Sulmuesi i krahut, Valmir Veliu është rikthyer te skuadra e Llapit. Kthimin e Veliut te Llapi e ka konfirmuar drejtori sportiv i këtij klubi, Mentor Zhdrella për KOHËN.
Zhdrella të mërkurën ka thënë se tashmë marrëveshja është arritur me Veliun, i cili do të jetë pjesë e Llapit për pjesën e mbetur të këtij edicioni.
“Po, kemi arritur marrëveshje me Veliun, i cili do të jetë pjesë e Llapit”, ka thënë shkurt Zhdrella.
23-vjeçari ka vendosur të rikthehet te Llapi pasi ka shkëputur kontratën me ekipin e Superligës së Turqisë, Gaziantep, që i skadonte në vitin 2025.
Veliu ka qenë pjesë e Llapit, ekip me të cilin e ka fituar dy herë Kupën e Kosovës.
Ai në verën e vitit të shkuar u largua nga Llapi për t’u transferuar te Gaziantepi. Në gjashtë muajt e fundit të edicionit të shkuar, Veliu ishte i huazuar tek Istanbulspori përpara se të rikthehej te Gaziantepi për këtë edicion. Megjithatë, këtë edicion, Veliu ka pasur tri paraqitje apo 26 minuta lojë në Superligën e Turqisë. Madje, këtë muaj, Gaziantepi nuk e futi në listën e lojtarëve që do të paraqiten në kampionat.