Sport

Hapi gjigant i Valmir Veliut

Ëndërr e bërë realitet. Kështu e vlerëson kalimin nga Llapi te Gaziantepi i Turqisë sulmuesi i krahut, Valmir Veliu.

Veliu pak pas prezantimit nga klubi i Superligës turke, të dielën, ka thënë për KOHËN se synon të bëjë paraqitje të mëdha me fanellën e Gaziantepit. Ai pranon se kalimi nga Llapi te Gaziantepi është hap gjigant në karrierë.

Veliu, 22-vjeçar, me skuadrën e elitës turke ka firmosur për tre vjet. Llapi ka përfituar 180 mijë euro nga shitja e Veliut te Gaziantepi, ndërsa ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të tij. Sulmuesi menjëherë të hënën i bashkohet skuadrës në stërvitje.

“Do të punoj fort që nga dita e parë për t’u ambientuar sa më shpejt te klubi dhe të eci para. Unë do t’i bashkohem ekipit që nga nesër”, ka thënë Veliu të dielën. Ai tashmë ndodhet në Turqi.

Në edicionin 2021/2022, sulmuesi i U21 të Kosovës kontribuoi me 11 gola dhe 16 asistime në 39 paraqitje te Llapi. Ai shpreson të paraqitet mirë në edicionin e ri në Turqi.

Gaziantepi në edicionin e fundit përfundoi i 15-i në Superligën e Turqisë.

Veliu ka theksuar se rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Por me punë ka arritur ta bëjë hapin e madh në karrierë.

“Rrugëtimi ka qenë i vështirë, por me punë mund t’ia dalësh. Kam punuar vazhdimisht për ta realizuar ëndrrën që të luaj jashtë vendit. Ëndrra më është bërë realitet, ndërsa synimi është që me punë të bëj një tjetër hap më të madh. Synimi im është të arrij në nivele sa më të larta. Nuk është që e kam menduar se do të vijë ky moment, por kam bërë një edicion të mirë dhe kam pasur besim që në bazë të statistikave do të kaloj në një klub në Evropë”, është shprehur Veliu.

Veliu te Llapi ka luajtur katër edicione, ndërsa mundësinë për të luajtur futboll thotë se e ka pasur te Shkolla e Futbollit “Liridoni”.

“Është një hap i madh dhe e falënderoj menaxherin që e përfundoi transferim, familjen dhe po ashtu Llapin, ku kam kaluar katër vjet të mira. Llapi ma ka dhënë mundësinë t’i tregoj vlerat e mia. Falënderoj edhe Shkollën e Futbollit ‘Liridoni’, që më ka përkrahur deri sot. Janë dy njerëz aty, Bahri Osmani dhe Fisnik Thaqi, që më kanë përkrahur maksimalisht”, ka thënë ai.

Lojtari nga Podujeva për Shpresat e Kosovës ka shënuar dy gola në 13 paraqitje, ndërsa një ndeshje miqësore e ka edhe me Përfaqësuesen A. Ai pret të jetë i rregullt te Kosova A.

“Shpresoj të paraqitem mirë me ekipin dhe të arrij të luaj për Përfaqësuesen A. Është nder dhe krenari të luaj për Kosovën”, ka theksuar Veliu.

Veliu me Llapin fitoi dy herë rresht Kupën e Kosovës.

Llapi nuk do të mund të llogaritë në Veliun për kualifikimet e Ligës së Konferencës. Por, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thotë se më i lumtur është që Veliu ka arritur ta bëjë hapin e madh në karrierë.

“Jam shumë i emocionuar, i mërzitur, por edhe shumë i lumtur dhe krenar që po arrij t’i promovoj lojtarët e rinj dhe t’ua mundësoj kalimin në klube evropiane. Shumë nuk kanë besuar në punën time, në profesionalizimin tim, por sot jam krenar që po shkruaj histori në futbollin e Kosovës dhe skuadrën e Llapit. Nuk jam dorëzuar asnjëherë, duke besuar në punën time dhe stafin tim. Duke pasur mbështetje nga presidenti Beqir Batatina dhe drejtori Bejtush Batatina, Llapi është në duar të sigurta dhe tash po shkruan histori në çdo fushë”, ka thënë Tahir Batatina.

Ai i uron Veliut sukses në Superligën e Turqisë.

“Jam krenar që po bëhem trajneri i parë kosovar që dërgoj lojtarë direkt në klube të Superligave evropiane dhe me një vlerë që po cilësohet historike. Kjo është arritur falë punës dhe angazhimit shumëvjeçar dhe besimit që kam pasur në veten time. Valit i dëshirojmë karrierë të mirë dhe dashtë Zoti t’i arrijë kulmet e futbollit evropian. Te Valmiri shumë nuk besuan, shumë më kritikuan, por unë besoja dhe ia arrita qëllimit së bashku me të. Urime klubit, urime ‘Legjendave’. Ndihuni krenar se klubi i zemrës tuaj ka marrë një formë të një klubi evropian, atë që e kam thënë me vite, ia arrita”, ka thënë Batatina.

Gaziantepi për edicionin e tretë rresht luan në elitën turke. Një kohë të gjatë ka luajtur në kategorinë e dytë të Turqisë.