Pas fitores bindëse javën e shkuar ndaj Bayern Munichut, skuadra e Eintracht Frankfurtit synon një befasi tjetër këtë vikend. Frankfurti, i cili e mposhti 5:1 Bayernin për t’ia shkaktuar humbjen e parë këtë edicion, do të jetë mysafir i skuadrës së Bayer Leverkusenit. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:30 dhe i takon xhiros së 15-të të Bundesligës gjermane. Aktualisht, Leverkuseni është ekipi i vetëm pa humbje në kampionat dhe i prin tabelës me 36 pikë. Ka 11 fitore dhe tri barazime në 14 ndeshje të luajtura dhe synon ta mbajë këtë ritëm edhe pas kësaj xhiroje. Ndërkohë, Frankfurti që ka vetëm 5 fitore në kampionat dhe është i shtati në tabelë me 21 pikë, do të jetë i motivuar për këtë përballje pas triumfit të vikendit të shkuar.
Edhe Bayern Munichun që është i dyti në tabelë me 32 pikë, e pret një ndeshje e vështirë këtë vikend. Luan në shtëpi kundër Stuttgartit, ekip që këtë edicion ka pasur rezultate të mira. Me këtë ndeshje që nis të dielën në orën 19:30 edhe mbyllet kjo xhiro e kampionatit gjerman. Stuttgarti ka vetëm një pikë më pak se Bayerni dhe zë vendin e tretë në tabelë. Në këtë ndeshje, Stuttgarti futet pas një serie prej tri fitoreve dhe një barazimi në katër duelet e fundit.
Borussia Dortmundi që ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit, të shtunën prej orës 15:30 luan në udhëtim te skuadra e Augsburgut.
Të shtunën, por prej orës 18:30 luan edhe Leipzigu që përballet me Hoffenheimin. Leipzigu është i katërti në tabelë me 29 pikë, katër më shumë se Dortmundi dhe gjashtë më shumë se Hoffenheimi, ekipe që ndajnë pozitat pesë dhe gjashtë.