Sulmuesi i Anglisë, Harry Kane nuk dëshiron të largohet nga skuadra e Tottenhamit, pavarësisht se tentoi ta bënte një gjë të tillë para fillimit të këtij edicioni.
Mediumet britanike kanë raportuar të mërkurën se Kane u ka bërë me dije krerëve të klubit se nuk do të largohet. Ai këtë vendim e ka marrë pas ardhjes së trajnerit Antonio Conte në krye të Tottenhamit.
Kane është i bindur se me Conten në krye, Tottenhami do të jetë në gjendje të luftojë dhe fitojë trofe për shkak të sukseseve që trajneri italian i ka pasur me Interin, Chelsean e Juventusin.
Madje, Kane është i hapur për ta rinovuar kontratën me ekipin nga Londra që i skadon në verën e vitit 2024. Sulmuesi 28-vjeçar këtë sezon ka shënuar shtatë gola në 14 ndeshje për Tottenhamin në të gjitha garat.