Partizani ka arritur akordin për të huazuar për sezonin e ardhshëm sulmuesin e Shpresave, Rubin Hebaj.
Shkodrani, i cili iu bashkua Domzales në Slloveni verën e kaluar, është prezantuar pasditen e sotme në ambientet e klubit të kuq dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Skënder Gega, transmeton SS.
Me Hebajn, Partizani synon të zgjidhë njëherë e mirë problemet në repartin e avancuar, ku në sezonet e fundit kanë ardhur shumë emra të bujshëm, të cilët gjithsesi kanë shënuar shumë pak gola.
Hebaj debutoi në Superiore në sezonin 2016-2017, kur ndihmoi Vllazninë të mbijetojë, ndërsa verën e 2017-ës u largua për në Slloveni.
Në sezonin e parë në ligën vendase, Hebaj shënoi 4 gola, ndërsa luajti rreth 400 minuta në total. Sulmuesi vjen në formë huazimi, pasi klubi i Domzales nuk ka preferuar të heqë dorë nga kartoni i tij.