Fakti që Lionel Messi po bashkohet përsëri me Neymarin ka bërë që shumë tifozë të futbollit të entuziazmohen në mbarë botën.
Megjithatë, jo të gjithë i gëzohen kësaj. Shumë prej tyre do të përpiqen ende të pajtohen me largimin e Messit nga Barcelona. Të tjerë do të preferonin që Messi të shkonte në një klub në të cilin do të kishte ndikim të madh, sikurse Diego Maradona te Napoli.
Mirëpo, futbolli moderan tani po dominohet nga skuadrat që kanë pronarë të pasur, siç është rasti me Paris Saint-Germainin dhe Manchester Cityn. Madje, PSG-së e Cityt nuk mund t’u afrohet as Chelsea e Roman Abramovichit që triumfoi në Ligën e Kampionëve, ndërsa ritmin e shpenzimeve nuk mund ta mbajnë as Barcelona e Real Madridi.
Largimi i Messit dhe transferimi i tij te PSG-ja është një tjetër goditje e rëndë për Barcelonën. Barça ishte e pafuqishme ta ndalë Neymarin që t’i bashkohet ekipit francez në vitin 2017, që pagoi dëmshpërblim rekord në vlerë prej 222 milionë eurosh. Ngjashëm me Neymarin u largua edhe Messi, pasi klubi nuk kishte fuqi financiare për ta ndalur yllin argjentinas. Barcelona e dëmtoi veten financiarisht duke kërkuar në treg për zëvendësimin e Neymarit, të cilin nuk e gjeti asnjëherë, përkundër shpenzimeve të mëdha që i bëri. E kjo i kushtoi edhe me humbjen e Messit që sipas klubit, nuk kishte gjasa të qëndronte në “Camp Nou”, sepse do ta shkatërronte Barcelonën financiarisht.
Zbutja e rregullit të ferplejit financiar
Edhe
Rritja financiare që Messi ia siguroi PSG-së
As klubi francez nuk është imun ndaj vështirësive financiare të shkaktuara nga pandemia, por është i vendosur më mirë për t’i mbijetuar rënies ekonomike. PSG-ja humbi 124.9 milionë euro në sezonin 2019/20, i cili u kufizua nga pandemia e koronavirusit.
Shifrat e sezonit të kaluar janë më të këqija. Thuhet se PSG-ja ka humbur rreth 230 milionë euro, për shkak të ndeshjeve që u luajtën pa praninë e tifozëve, ndërsa të ardhurat nga televizioni u rrëzuan pas dështimit të marrëveshjes rekorde me kompaninë “Mediapro”. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar PSG-në që të jetë aktive në tregun e transferimeve, duke shpenzuar 60 milionë euro për mbrojtësin e djathtë të Interit, Achraf Hakimin dhe nënshkrimin e disa lojtarëve të mëdhenj që ishin pa kontrata si: Sergio Ramos, Georginio Wijnaldum dhe Gianluigi Donnarumma. Madje, francezët e rrëmbyen Wijnaldumin para Barcelonës.
PSG-ja mund ta bëjë këtë, sepse pronarët nga Katari janë aty për të mbuluar humbjet dhe pasi, tani për tani të paktën, rregullat e ligës franceze nuk i ndalojnë klubet të kenë një raport të pagave me të hyrat prej pothuajse 100 për qind, siç ishte në sezonin 2019/20. Parisienët gjithashtu janë ndihmuar nga vendimi i UEFA-s për të zbutur rregullat e saj të ferplejit financiar për të kompensuar mungesat e të ardhurave të shkaktuara nga pandemia, që do të thotë se vlerësimet e viteve financiare 2020 dhe 2021, do të bëhen së bashku dhe jo veç e veç. Klubet pritet të jenë në gjendje të regjistrojnë humbjet mbi kufirin prej 30 milionë eurosh, me kusht që të tregojnë se janë shkaktuar nga pandemia.
Kritikët thonë se ferpleji financiar nuk është më i përshtatshëm. Rivalët e PSG-së do të pretendonin se transferimi i Messit, i lidhur me shpenzimet e tjera verore dhe fakti që tashmë ka Neymarin dhe Kylian Mbappen në librat e tyre, do të thotë se klubi francez po tregon një shpërfillje të hapur për rregullin.
Sulmi i ëndrrave
Sidoqoftë, transferimi i Messit sigurisht që rrit shanset e ekipit francez për të fituar çmimin që te Parisi e duan më shumë se çdo gjë, të cilin pronarët nga Katari e kanë ndjekur prej se e kanë blerë klubin – Ligën e Kampionëve. Në maj të vitit 2011, Messi frymëzoi Barcelonën e Pep Guardiolas drejt fitores 3:1 ndaj Manchester Unitedit në finalen e Ligës së Kampionëve. Disa javë më vonë, kompania “Qatar Sports Investments” bleu aksionet te PSG-ja. Në gusht të vitit 2017, PSG-ja i bëri Neymarin dhe Mbappen dy blerjet më të shtrenjta në histori. Tani ata kanë edhe Messin.
“Çdo trajner në botë do të donte të kishte lojtarin më të mirë në botë në ekipin e tij”, pranoi trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.
Rekrutimi veror i PSG-së tashmë dukej mbresëlënës, edhe pa Messin. Parisienët veçanërisht ishin të fokusuar për një mesfushor dhe një mbrojtës të krahut të djathtë, nevoja këto që u plotësuan me ardhjen e Wijnaldumit dhe Hakimit. Një skuadër që humbi titullin e Ligue 1 sezonin e kaluar, por që në dy sezonet e fundit arriti në finalen dhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, tani duket se është gati për të fituar një kupë të parë evropiane. Modeli është skuadra e Barcelonës e sezonit 2014/15, e cila fitoi “tripletën” me Messin që shënoi 58 gola dhe Neymarin që kontribuoi me 39 sosh.
Edhe
Transferimi i Messit dërgon PSG-në në një dimension të ri
Njeriu i tretë ishte Luis Suarez që shtoi 25 gola. Tani njeriu i tretë te PSG-ja është Mbappe.
I mbetet trajnerit Pochettino që t’i akomodojë të gjithë lojtarët për të gjetur ekuilibrin e duhur për ta bërë ekipin e tij të kampionëve si dhe një version të futbollit modern të “Harlem Globetrotters”, argëtuesve amerikanë të basketbollit.