Me dorën e djathtë mban një top, ndërsa të majtën e ka mbi supet e vëllait të tij të madh. Flokët i ka të lyer me ngjyrë të bardhë. Fanella e Baselit është e madhe për të.
Është ky përshkrimi i një fotografie të Granit Xhakës me vëllanë e tij të madh, Taulantin, e bërë në qershor të vitit 2005. Fotografia është realizuar pak metra larg vijës anësore të fushës së stadiumit të Prishtinës.
Në fushën e stadiumit të Prishtinës, që tani mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, Graniti si kapiten do ta udhëheqë Zvicrën ndaj Kosovës, në ndeshjen kualifikuese të Evropianit të vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Ndeshja do të luhet të shtunën prej orës 20:45 dhe i takon grupit I.
Paraqitja e 18 vjetëve më parë nuk është e vetmja e Granitit në Prishtinë. Ai në kryeqendrën e Kosovës ka luajtur edhe dy herë të tjera, të paktën.
Së fundi në Prishtinë u paraqit katër vjet më parë. Luajti në ndeshjen në mes shokëve të tij dhe Milot Rashicës, të cilin do ta ketë sërish kundërshtar të shtunën. Por pesha e ndeshjes do të jetë krejtësisht tjetër. Graniti me Zvicrën synon fitore ndaj Rashicës dhe Kosovës, për ta bërë një hap të madh drejt kualifikimit në “Euro 2024”.
Ndeshja e katër vjetëve më parë Xhaka vs Rashica pati përfunduar 4:4. Pas përfundimit të asaj ndeshjeje revyale, Xhaka kishte qëndruar gjatë në fushë për të bërë fotografi me të rinj që vrapuan pas tij.
“Nëse na vjen rasti të luajmë kundër Kosovës, është vështirë të jap një përgjigje. Prindërit i kam këtu, kanë lindur këtu, unë kam lindur në Zvicër, por e ndiej veten si shqiptar, dhe të luaj kundër Kosovës do të ishte një ndjenjë e veçantë. Por do ta kemi detyrim ta bëjmë këtë ndeshje dhe më i miri le të fitojë”, pati thënë Xhaka në konferencën e organizuar për shtyp, para ndeshjes mes shokëve të tij dhe atyre të Rashicës.
Edhe para dhjetë vjetësh Xhaka pati luajtur një miqësore. Atëbotë përballja revyale ishte Prishtina – Yjet. Ndeshjen e qershorit të vitit 2013 e pati fituar Prishtina 3:2. Xhaka ishte pjesë e ekipit të yjeve.

Edhe para nëntë vjetësh, pak para se të udhëtonte për në Afrikë të Jugut me Zvicrën, Xhaka e kishte vizituar Prishtinën. Pati shpërndarë disa fanella me emrin dhe nënshkrimin e tij. Para shtatë vjetësh i ishte organizuar një pritje në aeroport nga adhurues të Arsenalit në Kosovë.
“Pushimet e para pas sezonit gjithmonë i bëj këtu në Kosovë, me familje, me prindër, vëllanë. Taulantin e kam pasur këtu një ditë dhe ndihem shumë mirë kur vij këtu. Kam shumë shoqëri, kënaqem dhe pastaj filloj përgatitjet”, pati theksuar Xhaka.
Mesfushori Xhaka e viziton shpesh Kosovën, saktësisht Prishtinën. Atë lehtë mund ta shohësh edhe në qytet. Luan shpesh edhe futboll rekreativ me shokë të Kosovës.
Xhaka gëzon simpati të madhe në Kosovë. Edhe më shumë ka fituar zemrat e shqiptarëve pas festës së veçantë duke bërë shqiponjën dykrerëshe dhe golit ndaj Serbisë në Botërorin e vitit 2018 në Rusi. E pastaj pas skenave të mahnitshme në Botërorin në Katar.
Dashurinë e njëjtë shqiptarët e kanë edhe ndaj Xherdan Shaqirit, që i ka shënuar dy gola ndaj Serbisë. Të parin e realizoi në Rusi, ku edhe e pati bërë shqiponjën dykrerëshe, ndërsa të dytin në Katar, vitin e kaluar.
“Emocioni më i madh deri sot në karrierën time ka qenë loja ndaj Serbisë në Rusi, ku dhashë edhe unë gol, por edhe Shaqiri. Ato kanë qenë emocionet që nuk mund t’i përshkruash me fjalë. Shqiponja e bërë ka qenë veprim spontan”, pati shkruar në rrjetet sociale Xhaka.
Krahas Xhakës e Shaqirit, në Kosovë me Zvicrën do të udhëtojnë edhe Ardon Jashari dhe Uran Bislimi. Bislimi ka luajtur për Kosovën para se të vendoste t’i bashkohej Zvicrës. Fama e Jasharit dhe ajo e Bislimit në mesin e shqiptarëve nuk i afrohet fare asaj të Xhakës e Shaqirit, dy prej emrave më të mëdhenj shqiptarë të futbollit në histori.