Leart Paqarada dha kontributin e tij në fitoren e thellë të Kosovës të mërkurën mbrëma. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fitoi miqësoren kundër Lituanisë me rezultatin 4:0. Në ndeshjen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Paqarada luajti tërë pjesën e dytë. E zëvendësoi mbrojtësin tjetër, Fidan Aliti.
Paqarada të premten për KOHËN ka thënë se pas hyrjes në fushë, fillimi nuk ishte ashtu siç e kishte paramenduar. Por majtaku beson fuqishëm në kualitetin që e ka. Ai ka thënë se me kalimin e kohës e mori veten në duelin kundër Lituanisë, ndërsa shpreson që ta ketë besimin e përzgjedhësit Bernard Challandes edhe të dielën.
Kosova të dielën e nis ciklin eliminator për Botërorin “Katari 2022”. Do të luajë sërish në Prishtinë, kundër Suedisë. Suedia e mbylli me sukses takimin e parë të Grupit B, duke mposhtur me rezultatin minimal (1:0) Gjeorgjinë, kundërshtaren tjetër të Kosovës.
Paqarada ka thënë se e kanë analizuar mirë lojën e Suedisë. Njësoj si futbollistët e tjerë pret ndeshje shumë të vështirë.
“E kemi përcjellë me vëmendje ndeshjen e Suedisë. Suedia ka kualitet të madh si ekip në tërësi, por edhe individualisht ka lojtarë shumë të mirë. E njohin njëri-tjetrin. E kanë brenda grupit edhe eksperiencën e madhe”, theksoi Paqarada.
Leart Paqarada thekson se ai me bashkëlojtarë duhet të japin maksimumin në të dyja duelet e ardhshme. Kosova më 31 mars udhëton në Sevilla për ta zhvilluar takimin e dytë kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm. Do të ballafaqohet me Spanjën.
Mbrojtësi 26-vjeçar i St. Paulit në Bundesliga 2, vlerëson se me paraqitje të mirë kolektive, rezultatet nuk mund të mungojnë.
“Qëllimi ynë është që ta japim më të mirën për të qenë të suksesshëm. E dimë që do të jetë shumë e vështirë kundër dy ekipeve si Suedia dhe Spanja. Por paraqitja jonë duhet të jetë aq e fort, saqë pa marrë parasysh rezultatin, pas ndeshjes ne të mund të jemi krenarë me veten. Dhe nëse ne paraqitemi në atë nivel, besoj që edhe rezultatet do të vijnë”, tha mbrojtësi i krahut.
Paqarada është njëri prej lojtarëve me më së shumti paraqitje te Përfaqësuesja e Kosovës. Me “Dardanët” ai i ka zhvilluar 21 ndeshje në total. Ka realizuar një gol e dy asistime në miqësore. Por në duelet e fundit të Kosovës nuk është paraqitur vazhdimisht.
Vazhdimisht po paraqitet në edicionin aktual te skuadra St. Pauli në kategorinë e dytë gjermane. Ka munguar në vetëm katër ndeshje, por ka luajtur në 23 të tjera në të gjitha garat. Ka kontribuuar me tri asistime.
Për duelin e së dielës, Paqarada ka thënë se do të japë më të mirën nga vetja dhe se nuk do ta zhgënjejë përzgjedhësin Challandes në rast se do t’i jepet rasti.
“Kundër Lituanisë nuk e fillova lojën ashtu siç e paramendova. Më janë dashur disa minuta për t’u adaptuar në lojë. Besoj se mund të luaj edhe më mirë. Nëse trajneri ma jep besimin kundër Suedisë, do t’ia rikthej me 100% pasion dhe me lojë të mirë”, përfundoi Paqarada.