Dy palestra së fundi janë përuruar në Kosovë, ajo e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë dhe ajo e Istogut. Në të dyja u zhvilluan ndeshje ndërkombëtare në hendboll.
Një palestër e re për zhvillim të aktiviteteve sportive pritet të hapet të martën. Bëhet fjalë për palestrën në Deçan, që do të përurohet pas dhjetë vjetësh punime.
Përfundimin e punimeve në palestrën e Deçanit e ka bërë të ditur të dielën ushtruesi i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ibër Alaj.
Alaj ka thënë se palestra do të jetë moderne dhe se do t’i plotësojë standardet për zhvillimin e aktiviteteve sportive të vendit dhe ato ndërkombëtare.
“Të martën pritet të hapet palestra në Deçan. Do të jetë një palestër moderne, me të gjitha kapacitetet për ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare të klubeve të Deçanit”, ka thënë Alaj.
Alaj ka shtuar se ndërtimi i palestrës në Deçan buxhetit të shtetit i ka kushtuar mbi dy milionë euro. Deçani është qendër e rëndësishme sportive, kurse hapja e palestrës pritet t’i japë hov sportit në këtë komunë. E sidomos në hendboll.
Gati në përfundim janë edhe punët në palestrën në Kaçanik, por ato mund të mos përfundojnë gjatë këtij viti. Edhe kjo palestër pritet t’i kushtojë shtetit rreth dy milionë euro.
Alaj ka theksuar se në palestrën në Kaçanik kanë mbetur vetëm edhe ventilimi në sallë dhe përfundimi i hapësirës së parkingut.