Me muzikë e brohoritje u përurua palestra e sporteve në Komunën e Skenderajt. Shiriti për “përfundimin” e palestrës në qendër të qytetit u pre më 14 tetor të vitit të kaluar, por dyert u mbyllën shumë shpejt. E mbyllur ishte edhe të mërkurën për sportistë, ndonëse në dhjetor është bërë pranimi teknik i punëve. Punët në palestrën e nisur 13 vjet më parë nuk kanë përfunduar ende. Duhet punë dhe rreth 12 mijë euro të tjera për të qenë e shfrytëzueshme për sportistët. Nga Komuna e Skenderajt ka premtime se dyert e palestrës për sportistë do të hapen brenda një muaji. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Skenderajt, Alban Berisha, thotë se janë bërë disa intervenime në palestër, ndërsa do të ketë edhe disa të tjera në mënyrë që palestra përfundimisht të jetë e përfunduar.
“Palestra e ka pasur një rinovim dhe siç e dimë daton herët si punë e filluar, mirëpo ka pasur probleme të vazhdueshme, ndërsa së fundi është bërë një intervenim ku pikja e kulmit nga të reshurat është rregulluar dhe krejt çka ka mbetur është kyçja e sistemit elektrik, të cilën punëkryerësi nuk e ka pasur. Tash është marrë pëlqimi në KEDS dhe jemi duke pritur procesin e prokurimit derisa të dalë për ta rregulluar edhe këtë punë teknike dhe besoj se gjithçka tjetër sa i përket palestrës është gati për gara të nivelit të vendit e po shpresojmë edhe më gjerë. Besojmë shumë shpejt. Më së largu një muaj apo një muaj e dy javë sportistët dhe klubet e qytetit do ta kenë të shfrytëzueshëm për gara dhe stërvitje”, ka thënë Berisha për KOHËN.
Palestra e ndërtuar pas 13 vjetësh është përcjellë me probleme të shumta. Pas hapjes janë zhvilluar vetëm tri ndeshje, dy në futsall dhe një në volejboll. Por, siç tregon Berisha, shkaku i parketit të rrëshqitshëm janë lënduar dy sportistë.
“Janë mbajtur tri aktivitete, dy në futsall dhe një në volejboll. Punëkryerësi procedurën e ka përfunduar konform pëlqimit që e ka marrë në kontratë. Edhe parketi si parket është me vibrim dhe i licencuar nga FIBA për t’u zhvilluar ndeshje ndërkombëtare të basketbollit, mirëpo edhe nga njohës të tjerë të sportit dhe sportistëve është kërkesë për t’u lyer me llak për shkak se gjatë aktiviteteve kanë ndodhur dy lëndime të cilat i kemi pasur gjatë lojërave të luajtura. Jemi duke e proceduar që sa më shpejt të përfundojë telashi me energji elektrike dhe parketi”, është shprehur Berisha.
Ai thotë se në planet e Komunës së Skenderajt është që kjo palestër të jetë e mirëmbajtur. Ai tregon se janë në proces të emërimit të punëtorëve të palestrës.
“Palestra edhe sipas planifikimit tonë 4-vjeçar mendojmë të jetë ambasador i Skenderajt dhe i sportit të qytetit. Është një investim i madh dhe nuk guxojmë të na shkojë dëm për shkak të mosmirëmbajtjes. Ka mbetur i vendosur vetëm stafi që do të përkujdeset për palestrën”, është shprehur ai.
Por kryetari i klubit të volejbollit të femrave në Skenderaj, Agron Istogu, ka dyshime se edhe pasi të hapet sërish palestra nuk do të jetë e standardit që kërkohet.
“Kjo palestër sigurisht do të thotë shumë për ne. Është shtëpia jonë. Ne nuk kemi pasur shtëpi ku i zhvillojmë ndeshjet, ku na sheh qytetari ynë. Nuk jam i kënaqur me punët e kryera. Unë e njoh mirë këtë fushë. Këtu është punuar ‘shkel e shko’, jo tani, herët është punuar keq dhe tash si të mundemi po mundohemi t’ia vëmë një fasadë. Këtu pengon gjatë ditës dielli dhe është e pamundur të shfrytëzohet gjatë ditës të stërvitesh e lëre më të luash. Kemi pritur gjatë dhe nëse do të ishte kryer një punë e mirë ndoshta do t’ia kishte vlejtur edhe pritja. Por, ka mangësi të mëdha dhe ende kulmi pikon dhe këto janë goxha zhgënjyese për ne”, ka thënë Istogu për KOHËN.
Në fakt, klubi i volejbollit në Skenderaj është stërvitur në kushte të vështira. Ka luajtur nëpër salla të ndryshme të shkollave, që as për së afërmi nuk i kanë plotësuar kriteret për një ndeshje volejbolli. Por këto probleme ende nuk janë tejkaluar. Volejbollistet vazhdojnë të stërviten në salla të shkollave të qytetit e po ashtu edhe të luajnë ndeshje në kushte jo të pranueshme. Te klubi shpresojnë që këtë edicion të dalin fitues të titullit. Por Istogu ka pak shpresë se palestra do t’i plotësojë të gjitha kriteret edhe pas rihapjes.
“Besimi më ka humbur shumë, por shpresojmë se mbi një muaj nuk do të shkojë, por problemet do të vazhdojnë. Nuk do të thotë se me hyrjen tonë këtu gjithçka do të jetë në rregull. Ne do të hyjmë me zotimin e kryetarit se do të evitohen problemet, por sa do të jetë palestra e gatshme, ajo mbetet të shihet. Do të kisha dashur të jetë ndryshe, por kjo palestër ka mangësi të mëdha”, ka thënë Istogu.
KV Skenderaj i ka fituar katër trofe gjatë periudhës së pasluftës. Ka një titull, një Kupë dhe dy Kupa të Federatës të fituara. Por asnjërin prej sukseseve nuk e ka festuar në Skenderaj. Të gjitha sukseseve i është gëzuar jashtë qytetit të Skenderajt, meqë ndeshjet si vendas i ka zhvilluar nëpër palestra të ndryshme të Kosovës.
Palestra në Skenderaj nuk është projekti i vetëm i zvarritur. Telashe në përfundim të punimeve ka pasur edhe në shumicën e palestrave që janë ndërtuar në Kosovë.