Sport

MKRS-ja pranon se s’ka kapacitet t’i mbikëqyrë të gjitha projektet kapitale

Brenda 250 ditësh është dashur të përfundonin punët në palestrën sportive në Kaçanik, që nga 13 marsi i vitit 2018. Vlera fillestare e kontratës ishte 677 mijë e 587 euro. Kjo fazë e punëve nuk përfundoi me kohë për çka u zgjat afati i realizimit edhe për 30 ditë nga data finale e dorëzimit të tenderëve. Për t’u kryer punët shtesë u ndanë edhe 66 mijë e 787 euro. Por palestra pritet të mos jetë gati as edhe këtë vit për sportistët e Komunës së Kaçanikut. Ka edhe disa punë për t’u bërë.

Por ky nuk është rasti i vetëm i gjetjeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), që në qershor të këtij viti publikoi raportin për pasqyrat financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për vitin 2019. Janë edhe katër raste të tjera ku punimet nuk ishin realizuar sipas planit dinamik siç parashihej me kontratë. Punimet që është dashur të përfundonin brenda vitit 2018 dhe 2019, sipas ZKA-së, kanë pasur ngecje domethënëse në progresin fizik të pesë objekteve. Bëhet fjalë për përfundimin e punëve edhe në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren, kompleksin sportiv “11 Marsi” në Prizren, palestrën sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë dhe palestrën sportive në Deçan. Punët në tri projektet e fundit kanë përfunduar tashmë dhe objektet sportive janë lëshuar në shfrytëzim këtë vit, ndonëse në bazë të kontratave me operatorët ekonomikë është dashur që punët tashmë të përfundonin, disa në vitin 2018 e disa gjatë vitit të kaluar. Punët me kohë nuk kanë përfunduar as në stadiumin “Përparim Thaqi” në Prizren. Vlera e kontratës për punët që është dashur të përfundonin brenda 400 ditësh që prej 26 janarit të vitit 2017 është 1 milion e 574 mijë e 537 euro. Se janë shkelur afatet kohore e pranojnë edhe vetë në MKRS. Por, nuk e marrin përsipër gjithë fajin, ndonëse për Auditorin adresa e vetme është MKRS-ja.

”Kryesisht shkaktar i vonesave në realizimin e këtyre projekteve është Ministria, ku sipas zyrtarëve të MKRS-së ishte mungesa e buxhetit. Megjithatë, kur kihet parasysh se realizimi i buxhetit për investime kapitale ishte vetëm 57 %, atëherë, kuptohet se kjo është si pasojë e menaxhimit joadekuat të buxhetit nga ana e Ministrisë”, thuhet në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MKRS-së.

ZKA-ja e hapur të bashkëpunojë me Prokurorinë

Në fakt, pesë rastet e paraqitura nga ZKA-ja nuk janë projektet e vetme që nuk kanë përfunduar me kohë. Madje vonesat janë edhe më të gjata, e po ashtu vlera e tyre nga ajo fillestare ka ndryshuar. Ka raste kur projektet e njëjta paraqiten në vitet pasuese për çka Auditori sheh mundësinë që ato të mos përfundohen edhe për një kohë të gjatë, si dhe po ashtu rrezikon që ndonjë prej operatorëve ekonomikë të ushtrojë padi gjyqësore ndaj Ministrisë për shkak të mospërgjegjësisë ndaj zbatimit të projekteve apo kryerjes së obligimeve me kohë ndaj tyre. Rasti i fundit që punët nuk janë kryer mirë dhe jo me kohë është palestra në Istog. Palestra u hap me një ndeshje ndërkombëtare në hendboll, ani pse nuk ishte bërë ende pranimi teknik i punëve. Në palestër duhet bërë investime të reja në kulmin që pikon. Për më tepër, 500 metra parket duhet ndërruar, meqë për shkak të reshjeve është kalbur. Ndërtimi në tërësi i palestrës në Istog, siç është thënë nga zyrtarë të MRKS-së, shtetit i ka kushtuar mbi dy milionë euro. Ende nuk është bërë pranimi teknik. Ka edhe raste të tjera që punët është dashur me kohë të përfundonin, por që janë të kryera vetëm punët e vrazhda. Si për shembull palestra në Zhegër, punët është dashur të kryheshin kohë më parë, por që ende është vetëm në shtyllat bazike. Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Ibër Alaj, ka theksuar se faza e planifikuar e punimeve sipas kontratës, ku paraqitet si e gjetur edhe tek Auditori, do të përfundojë këtë vit.

“Në bazë të informatës që kam nga Komuna janë në përfundim të kontraktimit, në bazë të realizimit të punëve për këtë fazë, bëhet fjalë për këtë kontraktim që e kemi pasur përsipër ne si MKRS ta mbulojmë. Është planifikuar që këtë vit të bëhet pranimi i atyre punimeve dhe të përmbyllet si kontratë mes komunës dhe operatorit ekonomik për punimet që janë planifikuar. Faza e kësaj kontrate planifikohet të mbyllet këtë vit, por jo i gjithë projekti për rinovimin e stadiumit”, ka thënë Alaj.

Ndërkohë për palestrën në Kaçanik, Alaj thotë se ka gjasa që disa punë do të mbesin të kryhen brenda vitit të ardhshëm.

“Për palestrën në Kaçanik është përmbyllur kontrata, por kanë mbetur disa punime përfundimtare, pasi për t’u lëshuar në përdorim kemi konsideruar që duhet të jetë pjesë përbërëse e inaugurimit të palestrës, duke ditur që duhet të ketë ventilim dhe të ketë parking, pra të përgatitet infrastruktura përcjellëse e jashtme dhe disa lyrje që janë të domosdoshme të bëhen brenda palestrës. Por, ka gjasa që mbetet edhe ndonjë pjesë për vitin tjetër, derisa në Istog janë në fazën përfundimtare për pranim teknik të testimit që janë ngritur si shqetësime”, është shprehur Alaj.

Alaj ka thënë se nuk janë penalizuar në asnjërën prej vonesave. Madje, ka theksuar se nuk ka pasur asnjë procedurë të hapur në prokurori apo organe të tjera. ZKA-ja në përgjigjen dhënë KOHËS ka thënë se janë të hapur të bashkëpunojnë edhe me prokurorinë.

“Siç përcaktohet me nenin 7 të Ligjit 05/L-055, Zyra Kombëtare e Auditimit publikon të gjitha raportet e auditimit dhe ato janë të hapura për prokurorinë apo organet e tjera relevante në rastet kur ata konsiderojnë se ka elemente të mjaftueshme për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm. Zyra Kombëtare e Auditimit kur has në raste të dyshimta të mashtrimit apo keqpërdorimit të mundshëm e njofton Prokurorin e Shtetit për analizë dhe hetime të mëtutjeshme. Duke pasur parasysh parimin e ndarjes së pushteteve dhe balancimit në mes tyre, dhe respektimin e standardeve dhe rregullave të auditimit, ZKA-ja nuk shpalos informacion për rastet eventuale për të cilat njoftohet Prokuroria. Ato shërbejnë vetëm si informacion dhe mbetet nën autoritetin e tyre nëse do të zhvillohen hetime apo jo”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për komunikim dhe zhvillim profesional.

Pagesa e paradhënieve për investime kapitale në kundërshtim me Ligjin e buxhetit

Në të vërtetë shumë objekte janë planifikuar të kryhen edhe më herët. Ka të tilla që janë paraqitur të ndërtohen apo të rinovohen në vitet vijuese. Por, sipas Projektligjit për ndarjet buxhetore të vitit që vjen, MKRS-ja do të ketë fiks 9 milionë e 270 mijë euro më pak se këtë vit. Projektligji i dërguar në Kuvend përcakton se në vitin 2021 MKRS-ja do të ketë 34 milionë e 905 mijë euro buxhet. Sivjet kishte 44 milionë e 176 mijë euro. Kjo mund të ndikojë që shumë projekte të mos përfundojnë me kohë. Alaj ka thënë se vonesa e realizimit të projekteve ka disa arsye. Por ka shtuar se për t’i evituar të gjitha telashet synojnë të shtojnë kapacitetet.

“Me katër apo pesë zyrtarë nuk mund t’i menaxhojmë gjithë këto kapacitete të investimeve kapitale në fushën e sportit. Kemi parapërgatitur që të ngremë kapacitetin, të ngremë kuadër të ri, në mënyrë që të kemi monitorues më shumë në aspektin qoftë të vlerësimit të projekteve, qoftë në mbikëqyrjen e punishteve. Kemi filluar një menaxhim ndryshe në aspektin e realizimit të punimeve. Buxheti i shtetit nuk është prekur, nuk kemi pasur asnjë rast deri në këtë moment, sepse janë realizuar punët sipas planifikimit. Por për vitet tjera jemi duke synuar që ta përmirësojmë dinamikën e punimeve, por në të njëjtën kohë edhe të kenë përgjegjës kontraktuesit potencialë të kontratave me MKRS-në”, është shprehur Alaj.

Në fakt Auditori ka gjetur edhe pagesa në kundërshtim me Ligjin e buxhetit nga MKRS-ja si në rastin e kontratës për fizibilitetin për stadiumin kombëtar të futbollit të paraparë të ndërtohet në Drenas.

“Në kontratën për fizibilitetin për stadiumin kombëtar të futbollit në Drenas në vlerë 1,440,000 euro, MKRS-ja kishte kryer pagesën e paradhënies në vlerë prej 432,000€ apo 30% operatorit ekonomik, pa aprovim të Qeverisë dhe pa garanci të performancës. Sipas menaxhmentit të Ministrisë, kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së njohurive të stafit lidhur me kërkesat e ligjit. Ndikimi pagesa e paradhënies pa siguruar garancinë e performancës përveçqë është në kundërshtim me Ligjin e buxhetit, rrit rrezikun që operatori ekonomik të mos realizojë punimet sipas kontratës apo të mos realizojë fare punimet. Në rast të dështimit të projektit, kjo mund t’i shkaktojë shpenzime shtesë MKRS-së për mbylljen e kontratës në fjalë dhe kthimin e mjeteve të paguara si paradhënie”, thuhet në raportin e auditorit.

Në fakt, pagesa e paradhënieve për investime kapitale në kundërshtim me Ligjin e buxhetit është gjetja sipas nenit 13 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2019, organizatat buxhetore mund të paguajnë paradhënie kontraktuesve për projektet kapitale deri në pesëmbëdhjetë për qind (15%) të vlerës së kontratës. Ndërsa për pagesën e paradhënies në vlerë deri në tridhjetë për qind (30%) të vlerës së kontratës për projektet kapitale, aprovimin duhet ta bëjë Qeveria. Po ashtu, për pagesën e paradhënies për projektet kapitale kontrata duhet të përmbajë garancinë e performancës dhe orarin qartazi të përcaktuar të pagesave, e cila njëkohësisht parasheh punën që duhet kryer para se të bëhet secila pagesë.