Sport

Palestra e Istogut përshkruan dështimin në ndërtimin e infrastrukturës sportive

Palestra në Istog ka pamje të bukur nga jashtë. Edhe hapësira e brendshme, aty ku zhvillohet aktiviteti sportiv, duket mirë. Por në këtë objekt gjigant sportiv, që mund të vlerësohet ende i ri, ka shumë defekte.

Palestra është hapur vetëm dy vjet më parë.

Defektet shihen lehtë që në hyrje të palestrës, që nisi të ndërtohej plot 18 vjet më parë.

Xhami i derës kryesore të palestrës është i thyer, ndërsa në korridor muret kanë nisur të dëmtohen nga lagështia. Lagështia ka dëmtuar muret edhe në shumë pjesë të palestrës.

Image

Muret e lagshta dhe xhami i thyer janë pak në krahasim me defektet e tjera. Kulmi pikon sa herë që ka të reshura. Shihen disa kova e peshqirë të vendosur për të zvogëluar shpërndarjen e ujit në parket. Parketi tashmë është kalbur në disa vende. Në disa pjesë të tjera është i dëmtuar rëndë.

Janë thyer edhe xhama brenda palestrës, që shtetit i ka kushtuar mbi dy milionë euro. Jashtë funksionit janë dushet e po ashtu tualetet. Pra, një palestër ende e re nuk duket fare e tillë.

Ani pse nuk është bërë asnjëherë pranimi teknik i punëve, palestra ishte hapur për aktivitete të klubeve të Istogut.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fikret Shatri, e çuan palestrën e Istogut “projekt të dështuar”.

“Ky projekt ka mangësi, ky projekt është i dështuar fillim e mbarim. Duket për sy shumë i bukur, por kur futesh brenda e sheh elementet një nga një, çdo gjë duket keq. Ky projekt me gjithë këto mangësi, me gjithë këto të zeza, është keqpërdorur pafundësisht”, ka thënë Shatri të enjten për KOHËN.

Shatri ka qenë i ashpër në reagimin për punimet që janë bërë në palestrën në Istog edhe sa nuk ushtronte funksionin e drejtorit.

Image

Ai kishte publikuar pamje nga brendia e palestrës, lëshimet që janë bërë në objekt. Ndër të tjera, pesë guacat në një prej tualeteve të palestrës ishin në të njëjtën hapësirë. Nuk ka pasur ndarje mes guacave, kurse pamjet e tyre kanë shërbyer për tallje në rrjetet sociale.

Edhe pse është bërë ndarja, dyert e tualetit ishin të mbyllura. Nuk janë funksionale për sportistët, meqë kanalizimi është jashtë funksionit.

Shatri, që mban post të rëndësishëm në MKRS, fton hetuesinë të nisë hetimet për projektin. Ai thotë se edhe më herët u është drejtuar organeve hetimore. Atij i është thënë se nuk ka të gjetura për të nisur hetim.

“Prokuroria ka shumë punë, nëse është e interesuar për të ndjekur rastet. Ja ku është palestra, ja ku janë gjitha informatat. Ua kam dërguar edhe videot kur ka shi dhe fatmirësisht që sot nuk ka shi, sepse këtu palestra mbushet me ujë. Në 7-8 vende depërton uji në palestër. Keq parketi, keq kulmi, dyert e shumë gjëra të tjera. Prokuroria shpresoj ta shohë këtë intervistë dhe ka mundësi te gjeje te gjetura te mjaftueshme edhe pse kur më kanë kthyer përgjigjen kanë thënë se nuk kanë të gjetura e që për mua ka qenë shok, pasi të gjeturat janë këtu pafund”, është shprehur Shatri.

Ish-drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Istogut, Drin Sadikaj pranon se ka defekte.

“Defekte ka. Ato defekte janë edhe të kohës që kanë zgjatur punimet, që do të thotë se është amortizuar me vite. Ministria e ka marrë financimin, kurse Komuna menaxhimin në fazën e fundit. Tani palestra është funksionale për të gjitha sportet. Në ato kushte janë zhvilluar edhe ndeshjet ndërkombëtare, ‘final four’ në hendboll, tani zhvillohen garat kampionale në hendboll dhe basketboll. Palestrën e shfrytëzojnë katër klubet e hendbollit, basketbollit, pingpongut dhe karatesë. Pritet të formohen edhe klube të tjera. Për mbikëqyrje dhe mirëmbajtje tani e ka Komuna. Shpresoj që sa më shpejt të zgjidhen këto probleme. Çdo punë që është bërë, është bërë me organ mbikëqyrës – kompani mbikëqyrëse”, ka thënë Sadikaj të dielën për KOHËN.

Palestra u hap me një ndeshje ndërkombëtare në hendboll, në tetorin e vitit 2020. Patën luajtur hendbollistet e Istogut me ato të Vushtrrisë. Në të vazhdohet të luhet si hendboll ashtu edhe basketboll. Por me shumë rreziqe për sportistët shkaku i parketit të lagur kur ka të reshura.

“Kur kemi hyrë në këtë palestër nuk e kemi besuar se do të ballafaqohemi me këto probleme. Por duke parë gjendjen duhet të kemi kujdes pasi sa herë që ka të reshura problemet për sportistët janë të mëdha, pasi mund të pësojmë keq lëndime. Jemi duke u munduar të jemi të kujdesshëm që në këtë palestër t'i zhvillojmë stërvitjet në kushte normale, pa pësuar lëndime”, ka thënë basketbollisti i Istogut, Labinot Kelmendi.

Mbikëqyrjen e punimeve më herët është thënë se e ka pasur Komuna e Istogut. Por klubet ankohen se palestra nuk mirëmbahet nga Komuna. Dëshmi është edhe djegia e parketit, që sipas zyrtarëve të klubit të basketbollit Istogu është bërë nga persona që kanë hyrë në palestër pa u penguar nga askush.

Për djegien e parketit, siç ka thënë ish-drejtori Sadikaj, është duke hetuar Policia. Por, nuk ka ende të dyshuar në mungesë të kamerave në palestër.

“Prej se kemi filluar ne edhe e mirëmbajmë këtë palestër. Palestra nuk ka organizim, nuk ka pastrues, drejtor. Me një fjalë, nuk ka menaxhim. Ne përkujdesemi edhe për pastrim, mbledhje të mbeturinave, organizimin e shikuesve dhe gjithçka tjetër”, ka thënë zyrtari i klubit të basketbollit Istogu, Rrahim Shatri.

Palestra në Istog nuk është objekti i vetëm që ka probleme. Edhe në palestra të tjera të reja apo të rinovuara ka pasur gabime e lëshime të shumta në punime. Nuk kanë munguar edhe akuzat për keqpërdorim.

Së fundmi Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar për keqpërdorim të pozitës zyrtare të dyshuarin M.I., pronar i një kompanie që ishte kontraktuar nga Komuna e Gjilanit për të mbikëqyrur punimet e palestrës së sporteve në fshatin Zhegër.

Sipas njoftimit, pronari i kompanisë “Arch Design” dyshohet se për më shumë se tre vjet i ka pranuar si pozicione të kryera punët e pakryera. Dëmtimi që ai dyshohet se ia ka bërë Komunës është rreth 66 mijë euro. Muaj më parë ishte përuruar edhe palestra në Skenderaj, por më pas ishte mbyllur pasi disa punë nuk kishin përfunduar. Shembuj të tillë ka shumë.

 

 

Palestra në Istog ka pamje të bukur nga jashtë. Edhe hapësira e brendshme, aty ku zhvillohet aktiviteti sportiv, duket mirë. Por në këtë objekt gjigant sportiv, që mund të vlerësohet ende i ri, ka shumë defekte. Palestra është hapur vetëm dy vjet më parë. Defektet shihen lehtë që në hyrje të palestrës, që nisi të ndërtohej plot 18 vjet më parë. Xhami i derës kryesore të palestrës është i thyer, ndërsa në korridor muret kanë nisur të dëmtohen nga lagështia. Lagështia ka dëmtuar muret edhe në shumë pjesë të palestrës. Muret e lagshta dhe xhami i thyer janë pak në krahasim me defektet tjera. Kulmi pikon sa herë që ka të reshura. Shihen disa kova e peshqirë të vendosur për të zvogëluar shpërndarjen e ujit në parket. Parketi tashmë është kalbur në disa vende.

Posted by Sporti në KTV on Sunday, January 23, 2022