Drejtuesit e Paderbornit janë shumë të kënaqur me ekipin aktual dhe për këtë arsye nuk e kanë ndërmend të bëjnë ndonjë lëvizje në afatin kalimtar të janarit. Megjithatë, një ofertë e parezistueshme për mesfushorin Florent Muslija mund t’i ndryshojë gjërat te skuadra që garon në Bundesligën 2, ka shkruar të mërkurën “Kicker”.
Në fakt te Paderborni do të ishin të detyruar të reagonin në rast të largimit të reprezentuesit të Kosovës, pasi Muslija ka shënuar 9 gola dhe ka bërë 6 asistime në 19 paraqitje gjatë pjesës së parë të këtij edicioni. Largimit të tij, Paderborni do të duhej t’i përgjigjej me dikë që do të ishte i aftë të zëvendësonte lojtarin me më shumti gola dhe asistime në ekip.
Muslija është njëri prej lojtarëve më të mirë te Paderborni këtë edicion dhe është shndërruar në lider të ekipit i cili po synon promovimin në Bundesligë për edicionin e ardhshëm. Te Paderborni kanë insistuar se tashmë kanë refuzuar shumë oferta për 25-vjeçarin, por nuk përjashtojnë mundësinë që të dorëzohen përpara ndonjë oferte të majme.
Më herët Paderboroni kishte kërkuar të paktën tre milionë euro për kartonin e mesfushorit, i cili ka kontratë deri në verën e këtij viti. Bochumi është një prej ekipeve që tashmë ka bërë ofertë zyrtare për Muslijën, ndonëse interesimi nuk mungon as nga skuadrat e tjera të elitës së futbollit gjerman.
“Në përgjithësi ne nuk duam të dorëzohemi para ofertave për Muslijën. Në fakt ne duam ta mbajmë atë në ekip deri në fund”, ka pranuar drejtori sportiv i Paderbornit, Benjamin Weber. “Mirëpo, nëse vjen një ofertë që nuk do të mundemi t’i bëjmë ballë, atëherë sigurisht se do të mendojmë për largimin e tij. Pra, do të mendojmë për opsionin më të mirë të mundshëm për të gjitha palët”.
Muslija në janar të vitit 2022 iu bashkua Paderbornit nga skuadra e Hannoverit, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Karlsruhe. Aktualisht, Paderborni renditet i gjashti në Bundesliga 2 me 27 pikë të mbledhura, tetë më pak se Holstein Kieli që është lider. Dy vendet e para sigurojnë inkuadrimin në Bundesligë për edicionin e ri, ndërsa vendi i tretë do të luajë në plejof.
Edhe
Paderborni kërkon të paktën tre milionë euro për Muslijën
“Afati kalimtar është i hapur deri më 31 janar dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat. Ne sigurisht se nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje pasi jemi të kënaqur me ekipin aktual, por nuk varet gjithçka prej nesh”, është shprehur Weber.
Të premten skuadra e Paderbornit do të udhëtojë drejt Spanjës për fazën përgatitore para fillimit të pjesës së dytë të edicionit në Bundesligën 2 dhe do të qëndrojë atje deri më 12 janar. Ndeshjen e parë këtë vit, Paderborni e luan në shtëpi më 21 janar, kur përballet me skuadrën e Greuther Fuerthit.