Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muslija mund të largohet vetëm për çmim të volitshëm

Edhe dy javë kanë mbetur deri në përfundim të afatit kalimtar të verës që është hapur zyrtarisht më 1 korrik. Dhe nga skuadra e Paderbornit, kategorisë së dytë të futbollit gjerman, tre lojtarë mund të largohen. Florent Muslija është në mesin e tyre.

Ka pasur spekulime të shumta në javët e fundit për largimin e futbollistit të Kosovës, por Paderborni ende nuk ka marrë ofertë zyrtare për të.

Dëshira e mesfushorit me tipare ofensive është që të luajë në një ligë elitare.

“Nuk dëshirojmë që të heqim dorë nga Florenti. Nëse ka ndonjë ofertë dhe çmim që nuk i përmbush kërkesat tona, nuk do ta shqyrtojmë ofertën”, ka thënë drejtori sportiv i Paderbornit, Benjamin Weber, për “Westfalen-Blatt” të mërkurën. 25-vjeçari iu bashkua Paderbornit nga Hannoveri në janar të vitit të kaluar.

Në edicionin e ri ka zhvilluar tri ndeshje, dy në Bundesliga 2 dhe një në Kupën e Gjermanisë. Në Kupë realizoi një gol e një asistim në fitoren 7:0 ndaj Energie Cottbusit.