Është mbyllur pa gola pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit. Ky takim, po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe i takon xhiros së 14-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Gjatë 45 minutave të para, rastin më të mirë për të zhbllokuar rezultatin e lëshoi Prishtina kur mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi e qëlloi traversën pas tentimit me kokë në fillim të takimit. Ndërkohë, Dukagjini pati rast të mirë në fund të pjesës së parë, kur Ahmed Januzi gjuajti mbi portë nga afërsia.
Në krye të Prishtinës në këtë takim po debuton trajneri boshnjak Abdullah Ibrakoviq, i cili e zëvendësoi në këtë post Zekirija Ramadanin e larguar. Kjo është ndeshja e vetme që luhet të premten në kuadër të kësaj xhiroje.