Sport

Osaka po e shfrytëzon pushimin për të mbushur "bateritë", mbetet e përqendruar në Lojërat Olimpike

Foto: Reuters

Pas disa viteve me aktivitete të shumta, tenistja e famshme japoneze Naomi Osaka po e shfrytëzon këtë pushim të detyrueshëm shkaku i koronavirusit, për t’u relaksuar dhe mbushur bateritë.

Osaka, fituese e dy Grand Slameve dhe tenistja e parë japoneze që është ngjitur në pozitën numër një në renditje botërore, ishte përgatitur për një verë me plotë aktivitet, përfshirë edhe debutimin e saj në Lojërat Olimpike në vendlindjen e saj në Tokio.

Por, Lojërat Olimpike janë shtyrë deri në verën e vitit 2021. Osaka 22-vjeçare është izoluar në shtëpinë e saj në Los Angeles, ndërsa po shikon anët pozitive të këtij pushimi.

“Unë po shfrytëzoj këtë kohë për të qenë shtëpiake, diçka që një teniste që është aktive nuk mund të jetë kurrë. Kam luajtur tenisi çdo ditë për sa e mbaj në mend, kështu që kjo ka qenë mundësi për të mbushur bateritë. Kam gatuar shumë, kam stërvitur për të mbajtur formën, kam lexuar dhe kam qenë në kontakt me motrën dhe familjen”, thotë Osaka në një intervistë për agjencinë Reuters.

Ndonëse nuk ka qenë në gjendje të kthehet në fushë të tenisit me trajnerin e saj Wim Fissette, Osaka po gjen mënyrë për të qëndruar në formë.

“Unë nuk kam qenë në gjendje të luaj tenis, mirëpo, kam folur me trajnerin tim dhe trajnerin tim të fitnesit, kemi gjetur mënyra për të mbajtur trupin në formë dhe të gatshëm kur të rikthehet sporti. Është një normale e re, por po përshtatem”, ka thënë Osaka.

Osaka ka mbajtur shpirtin e saj garues, ndërsa po përgatitet për turneun e të dielës “Mario Tennis Aces”, ku do të garojë me rivalet Serena Williams, Venus Williams dhe bashkëkombasin Kei Nishikori në një garë virtuale.

Osaka pranon se pëlqen video-lojërat dhe po e pret mundësinë që të luajë përkrah partneres në çifte, modeles Hailey Bieber.

“Motra ime dhe unë kemi luajtur shumë derisa ishim të vogla dhe unë po luaj ende, edhe më tepër tash gjatë karantinës. Mund të them se jam adhuruese e video-lojërave”, thotë Osaka. “Po luaja më pak në muajt e fundit, pasi kisha hobi të reja, si modelimin, fotografitë dhe kaloja më tepër kohë me shoqëri. Por, në karantinë i jam kthyer shprehive të vjetra”.

Në turneun do të përfshihen edhe yjet e ligës NFL (ligës më të madhe të sportit të futbollit amerikan) DeAndre Hopkins dhe Ryan Tannehill, përkrah këngëtarit Seal dhe DJ Steve Aoki.

“Unë dhe Hailey do të jemi tandem i vështirë për t’u mposhtur. Mendoj se ajo luan shumë me bashkëshortin e saj Justin Bieberin, kështu që e di se ajo e njeh mirë lojën. Më duket se e kemi në raundin e parë përballë Steve Aokin dhe Kein, që është disi si një përballje japoneze, kështu që të shohim”, ka thënë Osaka.

Derisa turneu virtual i të dielës, që do të transmetohet direkt në Facebook, do të jetë argëtues, Osaka po pret të kthehet në fushën e tenisit dhe të përgatitet për Lojërat Olimpike, që janë shtyrë vitin e ardhshëm shkaku i koronavirusit.

Osaka e kupton se shtyrja ishte e nevojshme.

“Si shumica e sportistëve që kanë stërvitur edhe unë isha e dëshpëruar në fillim, por më pas e kupton se shtyrja është për të mirën e gjithë botës, e di se loja mund të pres, ne do të bëhemi bashkë në vitin 2021 dhe do të jemi të gatshëm”, ka thënë Osaka. “Kam shumë simpati me sportistët, sidomos atletët, që punojnë për katër vjet dhe planifikojnë të arrijnë kulmin në kohën e caktuar. Tash plani i tyre ka ndryshuar. Tenisi është pak më ndryshe, kështu që nuk duhet të ndryshoj shumë përgatitjet e mia”.

Osaka ka thënë se kur të fillojnë Lojërat Olimpike, ato mund të jenë si shpresë në fundin e betejës kundër COVID-19, që ka shkaktuar mbi 218 mijë të vdekur në mbarë botën.

“Unë njoh shumë njerëz që kanë punuar fort për këto Lojëra Olimpike dhe e di se sa e vështirë është kjo për njerëzit në Japoni. Por, sigurisht është vendim i duhur, që ka mbështetjen time të plotë. Unë vërtetë kam shpresë që Lojërat Olimpike do të jenë festë e madhe për botën në anën tjetër të fundit të pandemisë”, ka deklaruar Osaka.