Sport

Opsione të bollshme në krahë, pak në qendër të mesfushës

Betim Fazliji e Ibrahim Dresheviq para mbrojtjes e Bersant Celina më i avancuar. Këta lojtarë janë paraqitur në qendër të mesfushës për Kosovën në ndeshjen e 16 qershorit ndaj Rumanisë, që përfundoi 0:0.

Fazliji, Dresheviq e Celina startuan edhe ndaj Bjellorusisë në humbjen e rëndë, 2:1, të 19 qershorit. Nuk është se shkëlqyen, njëjtë si e gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Humbja e dëshmon këtë.

Qendra e mesfushës ka disa vjet që është pjesa më e ndjeshme në përbërjen e Kosovës. Konkurrenca për pozitat e mesfushorëve qendrorë është larg prej asaj të duhurës. Për shembull, Dresheviq në skuadër luan në qendër të mbrojtjes, ndërsa te Kosova luan para mbrojtjes, si mesfushor defansiv. Fazliji startoi në qershor, ndonëse nuk po aktivizohej për kohë të gjatë te St. Pauli. Ai fitoi vendin vetëm pasi përzgjedhësi Alain Giresse nuk kishte opsione më të mira.

Fazliji është kthyer te St. Galleni në Zvicër dhe tani po luan rregullisht. Megjithatë e ka kompletuar vetëm një ndeshje. Ai po paraqitet si mesfushor defanziv dhe mund të jetë sërish startues te Kosova. Konkurrenca për mesin e fushës vazhdon të jetë fare e zbehtë.

Prej mesfushorëve është ftuar edhe Valon Berisha, ndonëse pa skuadër. Florian Loshaj është mesfushori tjetër. Ai është pjesë e Istanbulsporit në Superligën e Turqisë. Pra, pak zgjidhje për selektorin Primozh Gliha për pozitat e ndjeshme. Bersant Celina nuk është në listën e sllovenit.

Florent Muslija po luan dukshëm më i avancuar dhe po kalon formë të mirë te Paderborni gjerman. Në katër ndeshjet e fundit i shënoi tri gola. Dy herë shënoi në Bundesliga 2 e një gol në ndeshjen për Kupë. Ka gjasa të mëdha të startojë te Kosova.

Kryesisht pas sulmuesve po luan edhe Meriton Korenica.

Dukshëm më tepër opsione ka për sulmues krahu: Milot Rashica, Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, Bernard Berisha, Zymer Bytyqi, Altin Zeqiri, Ermal Krasniqi. Bazuar në formën e shfaqur në nivel skuadrash, Rashica pritet të startojë e po ashtu Zhegrova.