Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Olimpistja dimërore më e dekoruar përshëndetet me një të artë

Marit Bjoergen ka fituar medaljen e artë individuale që e synonte, për të mbyllur kështu karrierën e saj olimpike si më e suksesshmja në histori të Lojërave Olimpike Dimërore. Ajo ka arritur në shifrën e 15 medaljeve olimpike në total, tetë prej tyre të arta.

Bjoergen shkatërroi të dielën konkurrencën në skijim cross-country në 30 kilometra start në masë, në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, duke lënë prapa gati dy minuta finlandezen Krista Parmakoski që doli e argjendtë. Suedezja Stina Nilsson fitoi të bronztën, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Është e jashtëzakonshme të përfundoj garën time të fundit olimpike në këtë mënyrë. Unë në Pyeongchang erdha me shpresën për të fituar një të artë individuale, dhe e dija se është e mundur në 30 kilometra start masiv. Ishte garë e jashtëzakonshme për mua”, ka thënë Bjoergen.

Karriera e madhe olimpike e Bjoergenit nisi në Salt Lake City në vitin 2002, kur ajo fitoi medaljen e saj të parë olimpike, të argjendtën në stafetën 4x5 kilometra. Që nga atëherë Bjoergen fitoi 14 medalje të tjera, por 37-vjeçarja insiston se nuk do të kthehet për të garuar në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin.

“Kjo ishte mundësia ime e fundit dhe nuk kam mundur ta mbyll në mënyrë më të mirë. Do të skijoj deri në fund të stinorit dhe të shohim se si do të jetë puna vitin e ardhshëm”, ka deklaruar norvegjezja.

Pasi fitoi medaljen e artë në stafetën 4x5 kilometra në Pyeongchang, dhe më pas e tejkaloi bashkëkombësin Ole Einar Bjoerndalen si më e dekoruara në Lojërat Olimpike Dimërore, Bjoergen ishte e interesuar të fitonte një të artë të fundit individuale. Në Pyeongchang ajo fitoi dy të arta, një të argjendtë e dy të bronzta... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm