Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Olimpistët do të kursehen nga izolimi dyjavorë, thonë organizatorët e Lojërave Olimpike në Tokio

Sportistët që do të arrijnë në Tokio për Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm, do të përjashtohen nga masa e izolimit prej 14 ditëve që Japonia ka vendosur ndaj çdo personi që vjen nga jashtë vendit, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Organizatorët e Lojërave Olimpike kanë thënë sot se ende duhet zgjidhur detajet, por masat për sportistët me gjasë do të përfshijnë testimin për koronavirus 72 orë para se të arrijnë në Japoni. Por, kanë paralajmëruar se vendimet për shikues nga jashtë ende nuk janë marrë, duke thënë se karantina 14 ditore për ta “është e pamundur”.

“Sportistët, trajnerët dhe zyrtaraët e Lojërave Olimpike që janë në dispozicion për Lojërat në Tokio, do të lejohen të futen në shtet, duke ofruar masat që kërkohen para se të arrijnë në Japoni”, ka deklaruar shefi-ekzekutiv i Lojërave Olimpike në Tokio, Toshiro Muto, në konferencë për media.

Lojërat Olimpike në Tokio janë shtyrë për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Deri pranverën e ardhshme, do të dalim me një plan për spektatorët, përfshirë edhe spektatorët jo-japonezë. Është e pamundur të vendosësh masën e karantinës 14-ditëshe për tifozët e huaj, kështu ë testet para dhe gjatë ardhjes janë të nevojshme”, ka thënë Muto.

Nëse tifozët lejohen në arenë, atëherë atyre mund t’i kërkohet të mos bërtasin apo bëjnë thirrje për të reduktuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit, shkruan Muto.