Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Odion Ighalo po i kthen nigerianët në tifozë të Manchesterit

Ai mund të mos jetë një super yll global, por transferimi i tij te Manchester United ka ndikim të mjaftueshëm për t’i bindur tifozët që të ndërrojnë ekipin që ata e përkrahin.

Transferimi i sulmuesit Odion Ighalo nga Shanghai Shenhua te Manchester Unitedi në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit ishte një nga befasitë më të mëdha - dhe kjo lëvizje ka pasur ndikim të madh edhe në vendlindjen e tij, Nigeri, raporton CNN.

Sulmuesi 30-vjeçar ka përvojë në Premier League, pasi ka 99 ndeshje me Watfordin (2014-2017), por reagimi në Nigeri për transferimin e Ighalos është një dëshmi për popullaritetin e madh që Manchester Unitedi gëzon në botë, transmeton Koha Ditore.

“Është një çmenduri e vërtetë për shkak se në Nigeri lajmi kryesor është transferimi im te Manchester Unitedi. Nëpër rrugët e qytetit ku jam rritur njerëzit ende po festojnë dhe po i gëzohen në masë të madhe kalimit tim te kjo skuadër”, ka zbuluar Ighalo. “Më kanë dërguar edhe video me të cilat kam qeshur shumë, pasi të gjithë ata që po festojnë tashmë janë shndërruar në tifozë të Manchester Unitedit. Ata kanë hequr dorë nga ekipet e tjera të Anglisë dhe tashmë kanë blerë fanellën time. Më kanë thënë se shkaku im po i bashkohen tifo-grupit të Manchester Unitedit. Jam shumë i lumtur për këtë”.

Kur Ighalo do të bëjë debutimin te Manchester Unitedi, ai menjëherë do të shkruajë historinë, duke u bërë nigeriani i parë që luan për këtë ekip.

Shumë analistë kanë kritikuar transferimin e Ighalos, duke shtuar se Manchesteri preferoi nigerianin për shkak se nuk arriti të siguronte ndonjë sulmues tjetër më të mirë. Në fakt, Ighalo është huazuar te Manchester Unitedi deri në fund të këtij edicioni dhe pritet ta zëvendësojë Marcus Rashfordin që është i lënduar. Por te Manchesteri po mendojnë ndryshe dhe presin që Ighalo ta ndihmojë ekipin me gola për t’ia siguruar një vend në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër.

Ighalo mund të jetë përforcim i qëlluar te Manchesteri për shkak të bilancit të tij mbresëlënës që e kishte te Watfordi, 39 gola në 99 ndeshje. Ai është i gatshëm për ta dëshmuar veten edhe me fanellën e kuqe, që thotë se do ta bartë me krenari.

Edhe Ighalo mbetet te Unitedi deri në janar të vitit 2021 Sport Ighalo mbetet te Unitedi deri në janar të vitit 2021

“Jam shumë krenar që jam pjesë e Manchester Unitedit. Jam i lumtur që njerëzit nga Nigeria po më dërgojnë mesazhe vazhdimisht dhe presin shumë nga unë. Jam i gatshëm për t’iu treguar të gjithëve se te Manchesteri kam ardhur për të vazhduar formën që e kisha te Watfordi. Me padurim po e pres ndeshjen time të parë me këtë fanellë”, ka insistuar Ighalo.

Nigeriani tregon se prej fëmijërisë ka qenë tifoz i Manchesterit dhe se për kalim në “Old Trafford” ka pranuar edhe ulje të pagës.

"Njerëzit në Nigeri e mbështesin Manchesterin shumë, kështu që unë jam rritur me këtë dashuri në familjen time. Të gjithë familjarët e adhurojnë këtë klub”, thotë Ighalo. "Asnjëherë nuk kam menduar se një ditë do të luajë për klubin tim të zemrës. Për mua kjo është një sfidë e madhe”.