Sulmuesi nigerian Odion Ighalo ka thënë se ishte i vendosur t’i bashkohej Manchester Unitedit dhe pranoi një zvogëlim të pagës vetëm për të realizuar transferimin.
Ai ka treguar se nuk ka fjetur në natën që u arrit marrëveshja. Nigeriani, 30-vjeçar, u huazua te Unitedi nga Shanghai Shenhua deri në fund të stinorit, transmeton Koha Ditore.
Ish-sulmuesi i Watfordit ka treguar se nëna ka qarë kur e ka marrë lajmin dhe se ka pasur festë në rrugët ku ai është rritur.
“Disa klube të tjera treguan interesim. Unë isha i vendosur të kaloja te Manchester Unitedi. I thashë agjentit tim se është ajo që dua. Ai më tregoi se duhet të pranoj ulje page. Por unë i thashë: Nuk shqetësohem. Bëje marrëveshjen”, ka thënë Ighalo për faqen zyrtare të klubit të mërkurën.