Sport

OCA: Shkaku i Donjeta Sadikut në Indi s’do të ketë ngjarje të mëdha sportive

Refuzimi i vizës për boksieren kosovare Donjeta Sadiku, do të jetë me pasoja për Indinë dhe komunitetin sportiv të këtij vendi.

Qeveria e Indisë përfundimisht të enjten i mohoi hyrjen në Indi boksieres më të mirë të Kosovës Donjeta Sadiku, e cila synonte pjesëmarrjen në Botërorin e Boksit.

Kjo ishte hera e dytë që Sadikut i mohohej pjesëmarrja në Botëror, në Indi, transmeton KTV.

India nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe kjo ishte arsyeja pse nuk u lejua Donjeta Sadiku të hynte në Indi, edhe pse ajo dhe kampi i saj, ishin pajisur me pasaportën e Shqipërisë, me të cilin vend India ka marrëdhënie diplomatike.

Menjëherë pas këtij vendimi, ka reaguar Këshilli Olimpik i Azisë, OCA, që i ka dërguar një letër tepër të ashpër Ministrit të Sportit në Indi dhe Komitetit Olimpik Indian.

Presidenti i Këshillit Olimpik të Azisë, Sheiku Ahmad Al-Fahad Al-Sabah, ua ka bërë të qartë se mohimi i vizës për Sadikun mund të ketë pasoja të mëdha e të zgjatura, shkruan Indian Express.

“Ky incident ka ngritur shumë dyshime për Indinë, nëse në të ardhmen synon të organizojë ngjarje të mëdha sportive, si Lojërat Olimpike apo Lojërat Aziatike në Indi.

Siç e dini, sipas Kartës Olimpike dhe Statutit të OCA-s, është obligim dhe detyrë e Komitetit Organizativ ta mundësojë hyrjen dhe pjesëmarrjen e çdo sportisti i cili merr pjesë në garat e mëdha sportive, pa diskriminim”, ka shkruar presidenti i OCA-së.

Al Fahad Al Sabah e ka marrë si shembull Spanjën që, po ashtu, nuk e njeh Kosovën si shtet, por që, pas reagimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, do t’i lejojë sportistët kosovarë të marrin pjesë me simbolet shtetërore.