Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nurmagomedov refuzon 100 milionë dollarë për përballje me Mayweatherin

Khabib Nurmagomedov e ka refuzuar ofertën prej 100 milionë dollarëve për t’u ballafaquar me boksierin Floyd Mayweather.

Kampioni i peshave të lehta në UFC, artet e përziera marciale, u pensionua nga ky sport me kërkesën e nënës, pasi i vdiq babai Abdulmanap vitin e kaluar.

Ai e ka mbajtur fjalën dhe ka refuzuar edhe disa oferta tjera nga presidenti i UFC-së, Dana White.

Luftëtari nga Dagestani u pensionua me rekordin e 29 fitoreve dhe asnjë disfate. Së fundmi e mposhti Justin Gaethje dhe e mbrojti titullin në tetor të vitit të kaluar.

Sipas menaxherit të Nurmagomedovit, Ali Abdelaziz, ka qenë një ofertë që ka mundur t’ia kthente mendimin atij. Duke folur në një emision me Mike Tysonin, Abdelaziz ka thënë se shuma me nëntë shifra i është ofruar Nurmagomedovit për t’u ballafaquar me legjendën e boksit, Mayweather, i cili tani po përgatitet për meçin zbavitës me Logan Paul.