Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nurmagomedov, karrierën e sportistit e vazhdon në futboll

Ish-kampioni i UFC-së, Khabib Nurmagomedov, i cili u pensionua nga artet marciale të përziera në tetorin e vitit të shkuar, ka nënshkruar kontratë me skuadrën e futbollit FC Legion Dynamo. Kjo skuadër bën gara në rangun e tretë të futbollit të Rusisë.

Nurmagomedov njoftoi për pensionimin e tij nga UFC pas fitores kundër amerikanit Justin Gaethje më 24 tetor. Ishte lufta e tij e parë pas vdekjes së babait të tij, Abdulmanap, që kishte komplikime në shëndet të shkaktuara nga Covid-19. Duke e përmbushur premtimin që ia kishte bërë nënës së tij, 32-vjeçari e la “kafazin” pas serisë së 13 fitoreve rresht në tetë vjet.

Si profesionist në gjithë karrierën e tij ka 29 fitore në total, përfshirë tetë nokaut dhe 11 me dorëzim. Në janar, Nurmagomedov tregoi se synon që të kthehet në futboll dhe se është i gatshëm t’i pranojë ofertat.

Legion Dynamo që luan në rangun e tretë të futbollit profesionist rus dhe është i treti në sezonin aktual, njoftoi për transferimin e tij në “Instagram”. Postoi një fotografi të Nurmagomedovit me një zyrtar të klubit.