Sport

Numri i lojtarëve të lënduar po rritet në prag të Botërorit

Reece James nuk do të jetë atje. As Diogo Jota. Do të jetë një Kupë e Botës pa N’Golo Kanten. Pa Alexander Isakun dhe Pedro Neton. Dhe, tani, me shumë mundësi, pa Raphael Varanen, ka shkruar “Daily Mail” të dielën.

Mbrojtësi i Manchester Unitedit nuk dihet nëse do t’ia dalë. Një skanim më i thellë i lëndimit të tij do të jap më shumë detaje, pasi rrugës duke lënë fushën në “Stamford Bridge”, Varane u përlot. I ngushëlluar nga shokët e skuadrës, ai i frikësohej më të keqes. Kush e di se çfarë mund të ndodh.

Edhe sa të tjerë do të mungojnë në shansin që vjen një herë në jetë?

Kështu ndodhë kur Kupa e Botës organizohet në mesin e sezonit, në një periudhë kur lëndimet zakonisht janë në masë të madhe për shkak të orarit të ngjeshur.

Derisa numërohen ditët për Kupën e Botës, ka më pak kohë për t’u rikuperuar. Vetëm tetë ditë e ndajnë xhiron e fundit të Premier Leagues nga Kupa e Botës dhe ndeshja hapëse në Katar. Në vetëm pak javë, ndoshta edhe goditja më e lehtë mund të jetë shkatërrimtare për një lojtar në prag të historisë.

Pra, çfarë mund të bësh? Nëse je 31-vjeçar, si Kevin De Bruyne, në formën më të mirë, si do t’i kaloni javët e ardhshme të Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve kur ka ndeshje vazhdimisht?

Ai mezi merrte frymë kur u pyet në “Sky Sports” javën e kaluar nëse do të donte ta fitonte Kupën e Botës me Belgjikën apo Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn. Tha që donte që Belgjika ta fitojë Kupën e Botës.

Kështu që a vazhdojnë De Bruyne, Jesusi, Harry Kane, të përkushtohen në sfida, apo po ruhen për të korrur sukses në Katar?

“Kupa e Botës është diçka që mund ta definojë karrierën tënde”, ka thënë të dielën një ish-futbollist i Premier Leagues. “Tifozët dhe klubet nuk duan ta dëgjojnë këtë por lojtarët do të nisin të tërhiqen nga sfidat, nuk do të vrapojnë shumë, në mënyrë që të mos të tërheqin apo të shqyejnë ndonjë muskul. Brenda pak javësh ne mund të shohim lojtarë në plazhe, njësoj siç bëjnë në fund të sezonit”.

Pep Guardiola ka thënë se nuk do ta pranojë një gjë të tillë. “Ata nuk do të luajnë nëse unë e kuptoj këtë”, ka thënë trajneri i Cityt. “Jam shumë i mirë në kuptimin e këtyre gjërave. E kam nuhatjen e mirë”.

Danny Murphy e di mirë se çfarë do të thotë humbja e Kupës së Botës për shkak të lëndimit. Ai ishte pjesë e skuadrës së Anglisë për Botërorin 2002, por theu një asht në këmbë gjatë stërvitjes, vetëm pak ditë para se të fillonte turneu.

“Në mënyrë të pashmangshme do të jenë disa lojtarë që do të mundohen të qëndrojnë larg telasheve në javën e fundit para Kupës së Botës, por jo shumë”, ka thënë një burim për “Mail” të dielën.

“Krenaria personale dhe konkurrenca nis në këtë moment. Unë nuk e kam bërë asnjëherë një gjë të tillë dhe nuk mendoj se do të isha në gjendje. Mendoj se është e rrezikshme të luash në një ndeshje futbolli duke pasur kujdes për veten. Një ndërhyrje që të zë të papërgatitur mund të jetë më e rëndë sesa kur je i përkushtuar në lojë”.

Numrat megjithatë tregojnë se një gjë e tillë nuk po ndodh. Në fakt është e kundërta. Përgjatë gjashtë javëve të para, ndeshjet e Premier Leagues kanë parë mesatare prej 251 vrapimeve të shpejta. Që atëherë mesatarja ishte 266 sprinte. Lojtarët kanë vrapuar 215.1 kilometra për ndeshje në gjashtë javët e para, 217 kilometra që nga ajo kohë.

Do të ketë lojtarë, natyrisht, që do t’i përdorin javët finale për ta bërë të mundur të zënë vend në aeroplanin e ekipit shtetëror.

Trajneri i West Hamit, David Moyes, mendon se ndoshta do të nisin t’i shohin lojtarët duke e ruajtur veten.

Ai nuk ka mundur ta shmangë krizën e lëndimeve po ashtu, pasi Lucas Paqueta është i lënduar në shpatull. Fillimisht u duk se transferimi më i shtrenjtë i “Çekanëve” do të mungojë në Kupën e Botës, por braziliani do të kthehet në kohë për në Katar.

“Ka nisur ta marrë vëmendjen e secilit çështja e lëndimeve të marra nga lojtarët”, ka thënë Moyes. “Mendoj se dallimi këtë vit është se shkon nga një ndeshje të shtunën apo të dielën, te një ndeshje në Kupën e Botës në vikendin tjetër. Mendoj se do të mund të ketë situata ku lojtarët ndoshta do ta mbrojnë veten, por do të jetë e vështirë për t’i dalluar dhe për t’i shikuar saktësisht”.

Trajneri i Fulhamit, Marco Silva, ka një numër të madh të lojtarëve që kanë sytë kah Katari. Joao Palhinha, Aleksander Mitroviq, Antonee Robinson, Kevin Mbabu dhe treshja e Uellsit, Dan James, Harry Wilson dhe Luke Harris, do të mund të lënë përshtypje të mirë në Lindjen e Mesme. Ai insiston, megjithatë, se nuk vihet në dyshim përkushtimi apo profesionalizmi i tyre.

“Lojtarët e dinë se sa e rëndësishme është për ta të jenë mirë në klubet e tyre sepse pas Kupës së Botës ata do të jenë në formë të mirë, do të marrin vetëbesim. Nuk mund të jesh në këtë situatë nëse nuk bën mirë me klubin. Profesionistët e vërtetë, djelmoshat që kujdesen për vete, do të jenë në fokus të plotë me skuadrat e tyre. Mendoj se kemi disa shembuj të mirë të atyre lojtarëve në klubin tonë. Disa prej tyre kanë pasur lëndime në disa prej ndeshjeve të kaluara. Harry Wilson u lëndua në një ndeshje pak para detyrës me përfaqësuese”.