Sport

Nuk dihet data e përfundimit të stadiumit në Prishtinë

Ndeshja e fundit që Kosova pritet ta zhvillojë në fazën kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018” është ajo ndaj Ukrainës më 8 tetor, të cilën, megjithatë duhet ta luajë në Loro Boriçi të Shkodrës, pasi stadiumi i Prishtinës nuk do të jetë gati, siç ishte premtuar nga ish-ministri Shala.

Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, ka bërë të ditur për Sportin në KTV arsyet e vonesës së stadiumit.

Përveç shumës që është investuar deri më tani në stadiumin e Prishtinës, sipas Alajt, me rekomandimin e UEFA-s, duhen edhe katër milionë euro shtesë.

Shuma financiare që do të investohet në stadiumin e Prishtinës është rreth 8 milionë euro. 75 për qind e kontratës së parë janë investime të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse 25 për qind të Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, kontrata e dytë nuk dihet se kur do të nënshkruhet, pasi MRKS-ja duhet ta presë Qeverinë e Kosovës për miratimin e buxhetit për stadiumin në kryeqytet.