Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu merr përgjegjësinë për humbjen, pret fitore në derbi

Trajneri Ardian Nuhiu e ka marrë përgjegjësinë për disfatën që skuadra e tij Drita e pësoi nga Drenica me rezultatin, 2:1. Ai tha se e gjithë përgjegjësia bie mbi supet e tij, ndërsa pret që në derbin ndaj Gjilanit ta përmirësojnë gabimin ndaj Drenicës, ndeshje të cilën e zhvilluan të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.

“Edhe pse ishte fushë e vështirë, nuk e justifikoj, sepse ishte e njëjtë për të dyja ekipet. Skuadra kundërshtare atë që krijoi edhe e shfrytëzoi. Sot ishte maksimumi, atë që krijuam ndoshta nuk i realizuam sikurse kundërshtari. Nuk diskutohet që na penalizon, por ne nuk do të dorëzohemi. I marr të gjitha përgjegjësitë për këtë disfatë. Kemi 3-4 ditë për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës. Është ndeshje derbi dhe është mirë për shkak se ekipi gjen motivin për t’iu qasur më mirë ndeshjes. U kërkoj ndjesë shikuesve të cilët i falënderoj për mbështetje. Presim që t’i gëzojmë në ndeshjet e radhës”, ka thënë Nuhiu. Drita është në vendin e tretë me 31 pikë, ndërsa Drenica në pozitën e pestë me 31 pikë.