Lojtarët e Zvicrës U21 u turpëruan në duelin e fundit të fazës grupore në Grupin D të Kampionatit Evropian që po mbahet në Gjeorgji dhe Rumani. Zvicra U21 me shumë shqiptarë në skuadër, u mposht 4:1 nga Franca. Megjithatë, futbollistët e përfaqësueses helvetike qëndruan në fushë për ta pritur edhe përfundimin e duelit tjetër të grupit, atë mes Italisë U21 dhe Norvegjisë U21. Portieri Amir Shaipi, mesfushorët Ardon Jashari dhe Kastriot Imeri, si dhe Bledian Krasniqi i inkuadruar në minutën e 86-të, me bashkëlojtarët e tjerë të ekipit, po e shikonin në pjesë të ndryshme përfundimin e duelit tjetër.
Dhe vetëm pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit në takimin tjetër që përfundoi më vonë, u pa edhe gëzimi në fytyrat e lojtarëve të Zvicrës U21. Fitorja e norvegjezëve 1:0 ndaj italianëve, ka bërë që Zvicra të kalojë në çerekfinale të garës. Amine Gouiri shënoi për francezët në minutën e 16-të.
Me asistim të Zeki Amdounit shënoi Dan Ndoye në minutën e 35-të. Franca në pjesën e dytë më pas shënoi edhe tri gola tjerë. Bradley Barcola realizoi në minutën e 65-të, Ryan Cherki në minutën e 76-të, ndërsa Maxence Caqueret, shënoi në minutën e 81-të. Të shtunën, në çerekfinale të Evropianit, Zvicra do të luajë kundër Spanjës në ndeshjen që nis në orën 21:00. Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë. Spanja U21 mban rekordin për këtë grupmoshë me pesë evropiane të fituara. E fitoi edhe në vitin 2019. Zvicra U21 në finale të Kampionatit Evropian kishte luajtur para 12-të vjetëve. Në atë kohë, në formacionin e helvetikëve ishin edhe Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.