Nora Gjakova ka zhvilluar luftë të fortë me kanadezen Jessica Klimkait, por megjithatë ka mbetur pa medalje në Grand Slamin e Parisit.
Nora u mposht nga Klimkait dhe u rendit e pesta në kategorinë deri 57 kilogramë. Kanadezja, që është e dyta në ranglistë botërore, fitoi medaljen e bronztë.
Lufta ishte e barabartë, ndërsa Nora kishte iniciativën. Ka kërkuar hedhjen gjatë tërë kohës, por Klimkait realizoi uazari që u poentua pas rishikimit të situatës nga komisioni i gjyqtarëve.
Nora e nisi ditën me fitore ndaj brazilianes Jessica Lima. Më pas e mposhti bullgaren Ivelina Ilieva. Në çerekfinale u mposht nga francezja Sarah Leonie Cysique. Italianen Veronica Toniolo e kaloi në luftën e parë të repesazhit.
Në kategorinë deri 57 kilogramë ka garuar edhe Flaka Loxha, që u ndal në luftën e dytë.